Adresimi i ndikimit mjedisor ndërkufitar parakusht për zhvillim ekonomik
A.B|RTKlive
Në kuadër të identifikimit dhe adresimit të ndikimeve potenciale mjedisore në të dyja anët e kufirit që mbulohen nga Mali i Sharrit, u mbajt një takim me përfaqësuesit e Institutit për Planifikim Hapësinor, Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar Sharri, UN-Habitat Kosova, si dhe përfaqësuesit e Parkut Kombëtar të Malit Sharr në Tetovë.
Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, njofton se gjatë takimit u prezantuan dy dokumentet kryesore: draft-Plani Hapësinor i Parkut Kombëtar Sharri dhe draft-Vlerësimi Strategjik Mjedisor për Planin Hapësinor të Parkut Sharri.
“U diskutuan sfidat aktuale në terren, si dhe hapat e ardhshëm për të harmonizuar dokumentet dhe veprimet e të gjitha palëve, me qëllim garantimin e një cilësie të lartë në planifikimin hapësinor, vlerësimet mjedisore dhe menaxhimin e parkut. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm si shtyllë kryesore në ruajtjen e ekosistemit dhe promovimin e mirëqenies për komunitetet në të dyja anët e kufirit”, njofton Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.























