Listës esenciale iu shtuan shtatë produkte të reja mjekësore
V.Th. /RTKlive
Ministri i Shëndetesisë Arben Vitia ka njoftuar se ka nënshkruar përditësimin e fundit të listës esenciale të produkteve mjekësore dhe materialit shpenzues.
Përmes rrjetit social Facebook, ai ka bërë të ditur se listës esenciale i’u shtuan shtatë produkte të reja bashkëkohore për trajtimin e kancerit të gjirit dhe melanomës, kancerit agresiv të lëkurës dhe materiali shpenzues për shërbimin e ri të STROKE, i cili siç ka thënë Ministri shpëton jetën e pacientëve me sulm në tru dhe dëmtime të enëve të gjakut në tru.
Vitia ka thënë se këto arritje janë mundësuar falë buxhetit prej 70 milionë euro për barnat esenciale.
Sipas tij ky është përditësimi i nëntë brenda 19 muajve. Ai ka shtuar se në vitin 2025, do të vazhdojnë ta përditësojnë më tej listën me produkte të reja për qytetarët e vendit.
“Së shpejti punë e veprime edhe për parandalimin e sëmundjeve”, ka shkruar Vitia.























