Prodhuesit e Kosovës po zgjerohen në tregje të reja ndërkombëtare
BKT
Ekonomi

Prodhuesit e Kosovës po zgjerohen në tregje të reja ndërkombëtare

Sh.G / RTKlive

Në programin e mëngjesit në RTK, i ftuar ishte Astrit Panxha, drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, për të folur mbi zhvillimet në sektorin e prodhimit dhe zgjerimin e tregjeve ndërkombëtare.

“Prodhuesit e Kosovës vazhdimisht janë duke gjetur tregje të reja, çka është një zhvillim i rëndësishëm. Nuk është më fokusi të jemi prezentë vetëm në tregjet tona vendore, por qëllimi është ndërkombëtarizimi i kompanive tona,” u shpreh Panxha.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rajoni mbeten destinacionet kryesore për eksportet e Kosovës. “Viti 2024 pritet të jetë një vit relativisht i mirë për sektorin e prodhimit, duke parë sukseset dhe rritjen e vazhdueshme”, shtoi ai.

Një prej sektorëve më të suksesshëm sipas tij është ai i drurit, i cili po shënon rezultate të jashtëzakonshme. “Mobiliet dhe shtëpitë modulare të Kosovës kanë një potencial të jashtëzakonshëm dhe janë në rritje të vazhdueshme. Përveç kësaj, kemi sektorin e përpunimit të plastikës, metalit dhe ushqimit, të cilët po kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik”, tha Panxha.

Në fund, ai vlerësoi angazhimin e prodhuesve kosovarë, duke theksuar se ata janë të pandalshëm dhe vazhdimisht sjellin produkte të reja në treg.


MË SHUME NGA Ekonomi