Telekomi: Viti 2025 do të jetë vit i daljes nga kriza përfundimtare
BKT
Foto arkiv| RTKlive
Ekonomi

Telekomi: Viti 2025 do të jetë vit i daljes nga kriza përfundimtare

V.S|RTKlive

Telekomi i Kosovës ka renditur punët që kanë bërë gjatë vitit 2024 duke e quajtur si vit të ndryshimeve më të mëdha në këtë institucion. Thonë se operuan me fitim dhe ndalën siç e kanë quajtur ata hemorragjinë financiare.

“Edhe përkundër vështirësive, për shkak se dy herë na janë bllokuar llogaritë bankare, për gati 6 muaj, si rrjedhim i vendimeve gjyqësore të padrejta, të ndërlidhura me kontrata të shumë viteve më parë, megjithatë trendi i përmirësimit të gjendjes financiare të kompanisë, ka vazhduar pandalshëm përgjatë vitit 2024” , thuhet në përmbledhjen që telekomi ka zgjedhur t’ua përcjellë medieve në formë të shkruar e jo në një konferencë për media.

Si të arritura kanë renditur ndërrimin e plotë të teknologjisë mobile të vjetruar me teknologji të fjalës së fundit, fillimin e investimeve të reja në rrjetin fiks, konsolidimin financiar. Formësimin dhe funksionalizimin e strukturës së re organizative. Ofrimin e pakove të reja televizive, të shërbimeve me zë dhe të internetit.

Tutje thuhet se Telekomi i Kosovës si shoqëri aksionare ka bërë përparime përmes teknologjisë së avancuar.

“Modernizimi teknologjik i rrjetit mobil VALA, përfundimi i modernizimit të rrjetit mobil VALA, tash me mbulueshmëri 5G në 72% të territorit të banuar dhe shpejtësi deri në 1Gbps nëpër qytetet e Kosovës. 98.5% e territorit të banueshëm të Kosovës mbulohet me teknologjinë 4G/4G+ për shërbime të shpejta dhe të qëndrueshme. Zgjerimi i rrjetit Fiks. Nisja e projektit për zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit optik në mbarë Kosovën, duke siguruar shërbime të internetit brezgjerë dhe përmbajtje televizive më të mira. Rritje të të ardhurave me 5.18%, krahasuar me periudhën e njëjtë, janar-nëntor, të vitit 2023. Fitimi neto u rrit me 16%, duke arritur në 7 milionë euro”, thuhet tutje në këtë përmbledhje nga Telekomi i Kosovës.

Kanë shprehur optimizmin se viti 2025 do të jetë vit i daljes nga kriza përfundimtare si pasojë e vendimmarrjeve që i kanë quajtur të gabuara dhe kontratave të dëmshme. "Në vitin 2025 do të keni në shërbimin tuaj një operator publik të përkushtuar dhe konkurrues", thuhet në komunikatë.


MË SHUME NGA Ekonomi