Hamza nga Ferizaj: Vizioni im është ekonomia e qëndrueshme
BKT
   Zgjedhjet 2025

Hamza nga Ferizaj: Vizioni im është ekonomia e qëndrueshme

M.P. / RTKlive

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, në tubimin elektoral në Ferizaj, ka thënë se vizioni i këtij subjekti politik mbështetet në ekonomi të qëndrueshme.

"Programin e kam bërë bashkë me ju. Për mua nuk janë problem partitë politike në Kosovë, për mua preokupim është gjendja e qytetarëve, e atij pensionisti që nuk mund të mbulojë shpenzimet mujore, nëna e re që nuk ka mundësi ta regjistrojë fëmijën në çerdhen publike dhe nuk ka para të mjaftueshme për ta dërguar në çerdhen private. Vizioni im është ekonomia e qëndrueshme, e cila nuk mund të jetë pa sektor privat të zhvilluar, pa ndërmarrje e ndërmarrës, prandaj në programin tonë kemi paraparë reforma strukturore, edhe në pjesën e politikave fiskale edhe në lehtësimin e qasjes në financa," ka thënë Hamza.

Ai ka përmendur edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar si projektin më të suksesshëm politik dhe ushtarak të gjithë historisë së Kosovës.

"Jam krenar që jam kandidat për kryeministër prej Partisë Demokratike të Kosovës, parti që e kanë themeluar dhe udhëhequr dy liderët tanë më të suksesshëm, të cilët janë krijues të shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi e Kadri Veseli," ka thënë ai.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë fjalës së tij e cilësoi PDK-në si forcën kryesore politike që po rikthen pulsin e Kosovës.

“Dje, në hapjen zyrtare të fushatës sonë, në fillim të fjalimit tim, Kryeministrit tonë të ardhshëm, Bedri Hamzës, ia kërkova që të ndërtojë një sallë trefish më të madhe për tubimet e PDK-së në Prishtinë, sepse nuk po na zënë sallat ekzistuese. Duke e parë masivitetin tuaj sonte këtu, të njëjtën kërkesë po ia bëj edhe Agim Aliut: Kryetar, nise ndërtimin e një salle trefish më të madhe edhe në Ferizaj, sepse mbështetja për Partinë Demokratike të Kosovës do të vijë vetëm duke u rritur. Partia Demokratike e Kosovës e ka rikthyer pulsin. Partia Demokratike e Kosovës po rikthehet si forca kryesore politike në vend,” tha Krasniqi.

 


MË SHUME NGA    Zgjedhjet 2025