Hamza në Suharekë, premton reforma në politikat fiskale
Arlinda Sejda / RTK
(E përditësuar 18:33) Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, mbajti tubim elektoral në Suharekë. 6 miliardë euro investime, për sektorë të ndryshëm, fuqizim të zonës ekonomike dhe ndërtim të autostradës Duhël -Banull u premtoi Hamza përkrahësve të kësaj partie.
"Ne ofrojmë zgjidhje dhe jo arsyetime, në vizionin tonë shëndetësia është top prioritet, dyfishimi i buxhetit me barna esenciale, modernizim të shëndetësisë, ne do ta bëjmë një arsim për te ardhmen që studentët të pajisen me diploma dhe jo pa vend pune por që i pret vendi i punës”, ka thënë ai.
Kryetari i degës së PDK-së në Suharekë, Dardan Berisha tha se Hamza është njeriu me vizion të qartë dhe demokratik, ndërsa prezantoi 5 kandidatë për deputet nga kjo degë: Enver Hoxhaj, Ramë Vataj, Qefsere Kuqi, Gresë Baraliu Halili, Arbër Behluli.
"Jemi sot këtu për të ndarë vizionin për një Kosovë më të drejtë, më të barabartë, ku rinia qëndron këtu, ku ekonomia është me inovacion, drejtësia është e barabartë për të gjithë”, ka thënë ai.

(16:36) Para takimit me qytetarët, Hamza ka vizituar një kompani të prodhimit të këpucëve në Suharekë, prej nga premtoi reforma në politikat fiskale, ku tha se 30% të linjave të prodhimit të cilat do të investohen si linja të reja, do të subvencionohen.
"Do t'i lirojmë prej pagesës në fitim korporatat dhe bizneset që investojnë më shumë se 500 mijë euro dhe punësojnë mbi 50 punëtorë, si dhe lehtësira të tjera për eksportues”, tha Hamza.
Ai tha se kur ndërmarrësit e kanë gjendjen më të mirë, fitojnë më mirë dhe kësisoj përmirësohen edhe pagat për punëtorët në sektorin privat.
“Jemi për mbështetjen e tyre, për themelimin e Gjykatës së punës dhe themelimin e fondit të papunësisë", shtoi ai.
Nga Suhareka Hamza premtoi realizim të politikave fiskale e lehtësi në qasje në financa, sipas tij me qëllim të zëvendësimit të importit me rritje të eksportit.























