Abdixhiku nga Vushtrria premton 5 miliardë euro për investime
Enver Gashi / RTK
Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, në hapjen e fushatës në Vushtrri ka thënë se pesë miliardë euro janë për investime, ngritjen e numrit të policëve dhe të pagave.
“Në programin tonë politik, kemi 5 miliardë euro investime, me 5 miliardë euro buxhet e me 5 për qind rritje ekonomike. Përmes këtij programi, garantojmë jetë të mirë në Kosovë. Prandaj, në javën e parë, pra në javën e parë, të gjithë shërbyesve publikë në Kosovë: mësuesve, mjekëve, policëve, zjarrfikësve, ushtarëve, të gjithë punëtorëve të shtetit, do t’ua rrisim pagat, me koeficient 150 që në javën e parë në krye të Qeverisë”, ka premtuar ai në sallën “Jeton Tërstena – TOTA”.
Progami i tij ka paraparë edhe krijimin e Ministrisë së Familjes dhe Mirëqenies, me ç’rast premtoi model perëndimor të funksionimit.
“Për çdo të porsalindur në Kosovë, për secilin të porsalindur në Kosovë, shteti ynë do t’i mbulojë të gjitha shpenzimet e vitit të parë. Për të rinjtë tanë, ata që janë në prag të mbledhjes së valixheve e ikjes nëpër botë, kemi Programin Kombëtar për trajnime në teknologji. Plot 40 mijë të rinj e të reja, në katër vjet, do të përfitojnë nga ky program trajnimi, që u jep edhe paga të larta, edhe vende të sigurta edhe qëndrim në Kosovë”, deklaroi Abdixhiku.
Sa i përket fushës së sigurisë, Abdixhiku premtoi rritjen e numrit të policëve në 10 mijë, e që mesatarisht i bie që çdo lagje të ketë policin e vet.
“Do t’i kemi 6 mijë ushtarë, 4 kazerma të reja e 2 lagje të reja ushtarake. Siguria jonë, mbrojtja jonë, janë detyrat tona”, deklaroi i pari i LDK-së.
Gjatë tubimit elektoral në Vushtrri, kreu i LDK-së uroi presidentin amerikan, Donald Trump, duke thënë se në qeverisjen e tij do të thellohen edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së.
Ndërsa kandidati për deputet nga kjo komunë, Xhafer Tahiri premtoi se Komuna e Vushtrrisë me qeverisjen e LDK-së, do të bëhet me ngrohtoren e qytetit.
























