Fatmir Bytyqi: Lufta kundër dhunës ndaj grave, prioritet i programit tim
G.K/RTKlive
Kandidati i pavarur për deputet në Kuvendin e Kosovës, Fatmir Bytyqi, ka deklaruar se një nga pikat kryesore të programit të tij politik është lufta kundër dhunës ndaj grave.
Ai tha se programi parashikon hapa konkretë që duhet të ndërmerren nga Kuvendi përmes një ligji që njeh dhunën e ushtruar ndër vite dhe kërkon shprehjen e pendimit për të kaluarën.
"Ne duhet të pendohemi si popull, të reflektojmë dhe të shprehim pendimin botërisht për atë që kemi bërë. Unë nuk po e fajësoj asnjë gjeneratë, as të kaluarën as të tashmen, por po kërkoj që e ardhmja të jetë sa më e sigurtë," tha Bytyqi.
Ai përmendi edhe mekanizmat që ka paraparë në projektin e tij, duke theksuar rëndësinë e rimbursimit për vajzat që ndjekin shkollimin.
"Një nga këto mekanizma është edhe rimbursimi i çdo vajze që nga mosha 6-vjeçare deri në përfundim të shkollimit me nga 100 euro në muaj, mjete të cilat do të përdoreshin vetëm për edukimin e femrës," u shpreh ai.
Bytyqi propozoi që fondet për këtë projekt të sigurohen nga taksa ose pagesa shtesë për artikujt luksoz, duke theksuar se këto masa do të ndikonin në buxhetin për realizimin e këtij qëllimi.
Fatmir Bytyqi, ka theksuar se reforma në arsim është një pikë tjetër kyçe e programit të tij politik. Ai vlerësoi se problemi kryesor i sistemit arsimor aktual është mungesa e përgjegjësisë individuale.
"Mentaliteti ynë i sistemit arsimor nuk dallon nga ato komunistet që kanë qenë më herët. Shteti kujdeset për çdo gjë, ju nuk keni nevojë të bëni asgjë," tha Bytyqi.
Ai propozoi kthimin e përgjegjësisë prindërore për edukimin dhe shkollimin, duke prezantuar një mekanizëm të quajtur "letra me vlerë".
"Fëmijët fillojnë me shkollim në moshën 6 apo 7 vjeçare, me edukim fillohet më herët. Në shkollat tona shkojnë fëmijë që përdorin gjuhë shumë të ndryrë. Kjo tregon që ne nuk jemi përgjegjës për fëmijët tanë. Ne duhet tua kthejmë përgjegjësinë prindit, jo vetëm për edukim por edhe për shkollim, dhe këtë e kam paraparë unë përmes letrës me vlerë" " tha ai.























