Gori: OIK po punon për avancimin e punës karshi komunitetit
K. K. /RTKlive
Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë të Kosovës sot shënon 10-vjetorin e themelimit. Kryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës, Nexhmije Gori, theksoi se Oda çdo ditë punon dhe është ballë për ballë me pacientin.
Gori tha se nëse kthehemi mbrapa, ‘ne shohim se jemi një shtet i dalë nga lufta.
“Natyrisht se ka qenë sakrificë e madhe, por me mund, me angazhim, gjërat kanë ecur. Nëse krahasohemi me vendet e rajonit apo të botës, mbetet për të dëshiruar, mirëpo prapëseprapë jemi të kënaqur. Po punojmë çdo ditë e më shumë për ta bërë më të mirën e mundshme”, tha ajo për RTK-në.
Gori shtoi se OIK është organizatë profesionale e cila mbron të drejtat profesionale të profesionistëve shëndetësorë brenda OIK, kryen licencimin, rilicencimin, edukimin e vazhdueshëm profesional, jep vërtetime të ndryshme, i mbron ata dhe punon për avancimin e të gjithë punëtorëve shëndetësorë.
Sipas saj, problematikat e infermierisë gati në gjithë Evropën janë të ngjashme.
“Migrimi është një ndër problematikat në vendin tonë. Tjetër shqetësim janë pagat e infermierëve. Nuk kanë një pagë dinjitoze, kanë turne të gjatë të punës, ngarkesë të madhe në punë, kushte të vështira dhe, përveç këtyre, puna në vikende nuk u paguhet”, tregoi ajo.
Po ashtu, ajo bëri me dije se tani për tani numri më i madh i ikjeve nga vendi është i infermierëve sepse, sipas saj, vendet e rajonit kanë nevojë për infermierë, sidomos nëpër shtëpi të pleqve.























