Kurti: Skënderaj mbetet komuna më e përkrahur nga qeveria
BKT
   Zgjedhjet 2025

Kurti: Skënderaj mbetet komuna më e përkrahur nga qeveria

Edona Podvorica / RTK

Tubimi qendror i Lëvizjes Vetëvendosje me partnerët e koalicionit në Skenderaj u pengua nga disa individë të cilët përdorën mjete piroteknike. E pak minuta para se kandidati për kryeministër Albin Kurti, të mbante fjalimin e tij u ndërpre edhe energjia elektrike. U desh ndërhyrja e Policisë që turma të shpërndahej dhe të rikthehej energjia elektrike.

Pas kësaj Kurti ka vazhduar me shpalosjen e programit të tij qeverisës. Ai tha se Skënderaj është komuna për të cilën qeveria aktuale ka ndarë më së shumti buxhet në formë të grantit.

Ndërsa me mandatin e ri tha se gjyshrëve do t’u ndahen nga 100 euro ndaras pensionit që marrin, teksa kujdesen për nipërit e mbesat.

“44% e kemi rritur buxhetin për vitin 2025, e për Skënderajn kemi ndarë 1 milion euro, që përbënë 19 milionë të të gjithë buxhetit të ndarë, pjesa dërrmuese është grant i qeverisë së Kosovës”, tha Kurti.

Ai tutje tha se gjatë këtij mandati e shpëtuan shtëpinë e kulturës në Skenderaj dhe investuan 120 mijë euro në shkolla.

“Kemi investuar edhe gjysmë milioni euro në ndërtimin e urave, derisa familjeve që iu vërshuan shtëpitë ua kemi ndarë mjetet në llogari të veta secilës familje, e jo siç ka kërkuar komuna. Së shpejti do të kompensojmë dëmet edhe të bizneset dhe bujqësia”, tha Kurti.

Kurti premtoi edhe 5 rezervare të ujit dhe çerdhe të re, për të cilën tha se kontrata nënshkruhet këtë muaj.

Ai ka përmendur edhe jetësimin e kompleksit historik në Prekaz, ndërsa tha se nëse ai do të udhëheqë qeverinë pas 9 shkurtit do të fillojë edhe restaurimi i kullave të rezistencës.


MË SHUME NGA    Zgjedhjet 2025