Koalicioni AAK-NISMA premtojnë siguri dhe reforma për qytetarët e Ferizajt
BKT
Foto: R.Haradinaj/FB
   Zgjedhjet 2025

Koalicioni AAK-NISMA premtojnë siguri dhe reforma për qytetarët e Ferizajt

Arlinda Sejda/RTK

Koalicioni AAK, Nisma, Konservatorët E-30 dhe Partia Ideal, para qytetarëve në Ferizaj, premtuan siguri të përhershme përmes anëtarësimit në NATO, çmime stabile të energjisë elektrike, reforma në administratën publike dhe politika të djathta ekonomike.

Kandidati për kryeministër nga Koalicioni AAK, Nisma, Konservatorët E-30 dhe Partia Ideal, ka ripërsëritur edhe në tubimin në Ferizaj se prioritet i programit të tij qeverisës është siguria, me theks të veçantë anëtarësimi i Kosovës në NATO.

"Anëtarësimi në NATO është fitorja e krejt fitoreve. Unë po ju garantoj se do ta përfundoj këtë proces më së miri në këtë vend. Me mua e kolegët e mi nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë në Kosovë. Në ekonomi, punëtorët do të kenë paga të sigurta. Në sektorin privat, bizneset do të jenë më të mbështetura nga qeveria, dhe do të kthejmë ligjin për investitorët strategjikë të huaj", tha  Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga AAK.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe kandidat për deputet, Fatmir Limaj, premtoi vepra dhe punë për mbështetësit e tij në Ferizaj.

"Miq, ju bashkëqytetarë të Ferizajt, me intelektualë dhe atdhetarë, kemi histori për kandidatët për deputet, njerëz me vepra, vajza e fëmijë të dëshmorëve që dhanë gjithçka për Kosovën. Kjo është lista fituese… Ne jemi këtu jo për të fituar Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, ne kemi vepra dhe me ne do të fitojë Kosova", tha Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate, kandidat për deputet.

Para mbështetësve, kandidatët për deputetë të koalicionit kërkuan votën për zgjedhjet e 9 shkurtit. 

"Ky koalicion ka një vizion të qartë politik për zhvillim dhe diplomaci, synimi është anëtarësimi në NATO, që do të thotë siguri të përjetshme, siguri, mirëqenie dhe një shteg për një jetë më të mirë për të rinjtë", tha Xhavit Zariqi, kryetar i degës së AAK-së.

"Mendoj se ky koalicion ka një program të mirë, unë nuk kam dyshim", u shpreh  Besnik Berisha, kryetar i degës së Nismës në Ferizaj.

Koalicioni AAK, Nisma dhe partnerët e tjerë premtuan gjithashtu paga të mira, arsim dinjitoz, çerdhe, pensione dhe bursa për të rinjtë.


MË SHUME NGA    Zgjedhjet 2025