AAK-NISMA dhe aleatët premtojnë anëtarësim të shpejtë në NATO
Arlinda Sejda/RTK
Me premtime për punë dhe vepra në të gjitha sferat, koalicioni AAK-Nisma, Konservatorët E30 dhe Ideal vazhduan fushatën elektorale në Kaçanik. Aty premtuan projekte dhe investime kapitale.
Kandidati për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj, premtoi se me programin e tyre qeverisës, Kosova do të ketë progres në të gjitha fushat, përfshirë edhe anëtarësimin në strukturat euroatlantike.
"Ky është plani i koalicionit tonë. Pse me votu planin tonë për Kosovën Fituese? Nuk është asnjë kandidat për kryeministër që mundet më shpejt me shti Kosovën në NATO. NATO është edhe siguri, është edhe ekonomi, është edhe stabilitet, sepse e ka ushtrinë më të madhe në botë dhe ekonominë më të fuqishme", deklaroi Haradinaj.
Premtime për investime dhe zhvillim dha edhe Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate dhe kandidat për deputet.
"Mjaft fjalë! Kosova po vjen me vepra. Me këtë kryeministër, ta bëjmë Kosovën Fituese!", tha mes tjerash Limaj.
Kandidatët për deputet nga Kaçaniku premtuan angazhim për zhvillimin e kësaj komune, ndërsa theksuan se nuk do të mungojë përkrahja për bujqësinë dhe zhvillimin e turizmit si mundësi për vende të reja pune.























