Haradinaj premton se me të nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë
Qendresa Duraku /RTK
Kandidati për kryeministër nga Koalicioni AAK, Nisma, konservatorët E- 30 dhe partia Ideal, mbajti tubim zgjedhor me grat e Komunës së Deçanit.
Haradinaj ripërsëriti edhe në tubimin në Deçan se prioritet në programit të tij qeverisës është siguria e anëtarësimi i Kosovës në NATO.
“Që nga themelimi i ushtrisë, me bekimin e Amerikës, që atëherë ne punojmë për të hyrë në NATO dhe mendoj që prej atyre që garojnë për kryeministër, askush këtë temë më mirë se unë s’mund ta kryejnë edhe më në kohë”, tha Haradinaj.
Ai zotohet se me qeverisjen e tij më nuk do të ketë ngritje të çmimit të energjisë.
“Nga dita që ia nisim e deri sa të shkojmë ne në atë zyrë, s’ka për t'u rritur më çmimi i energjisë. Ka për t'u filluar një zbritje graduale, që nuk po guxoj të them se frikohem të them me fjalë kaq herët. Por po ju them se kurrë nuk ka për t'u rritur çmimi i energjisë, kurrë nuk ka për t'ju ardhur fatura një centë, sesa që ju ka ardhur, dhe pas 3 vjetëve do ta zbresim”, tha Haradinaj.
Para mbështetësve votën për zgjedhjet e 9 shkurtit e kërkuan edhe kandidatët për deputet.
Koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë premtuan edhe rritje pagash, arsim dinjitoz, çerdhe, pensione, si dhe pagën minimale prej 500 eurosh.























