Abdixhiku premton përfundimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë
Valjeta Shala/RTK
Lidhja Demokratike e Kosovës ka premtuar sot para qytetarëve të Mitrovicës investime madhore, përfshirë përfundimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë, gazifikimin e Kosovës dhe përmirësimin e shëndetësisë.
Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë takimit me banorët e fshatit Kçiq i Madh të Mitrovicës, tha se Kosova ka nevojë për LDK-në, duke premtuar projekte madhore për këtë rajon.
“Në projektin tonë janë tri projekte madhore në këtë anë: përfundimi i rrugës Prishtinë-Mitrovicë, gazifikimi i Kosovës, ku Mitrovica do të bëhet qendër e gazit amerikan. Do të punojmë në shëndetësi dhe spitale rajonale. Spitali afër Prishtinës do të jetë edhe afër Mitrovicës, duke u kujdesur për ju,” theksoi ai.
Ai premtoi gjithashtu rritje pagash për shërbyesit publikë dhe rritje të pensioneve.
“200 euro më shumë për secilin shërbyes publik. Do të ketë rritje të pensioneve për 36.2%, ndërsa barnat do të jenë falas për pensionistët. Do ta krijojmë edhe Ministrinë e Familjes dhe shpenzimet për fëmijën e parë do të mbulohen nga ne,” shtoi ai.
Ndërsa kryetari i Degës së LDK-së në Mitrovicë, Gëzim Plakolli, tha se LDK-ja është e vetmja parti që garanton shëndetësi, arsim dhe ekonomi të zhvilluar.























