Haradinaj thotë se me të kryeministër, Kosova direkt në NATO
M.M, V.S
Kandidati për kryeministër nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës,Nisma Socialdemokrate, Konservatorët E30 dhe Ideal, në sloganin `Për Kosovën Fituese`, Ramush Haradinaj, në emisionin “Intervista zgjedhore”, në RTK, foli për programin me të cilin po garojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Haradinaj ka renditur shtyllat kryesore të programit të tyre me të cilën synojnë të qeverisin pas 9 shkurtit. Shtylla e parë, tregoi ai, i përket sigurisë. Tha se e synon planin aksional brenda 100 ditëve.
“Shtylla e parë e jona është siguria e plotë dhe e përjetshme me anëtarësim në NATO, duke pasur parasysh pastaj përfitime të tjera. Jo vetëm ushtarake e të sigurisë, por edhe politike e veçanërisht financiare. Vendet e NATO-s janë të pasura, kanë shumë fonde për investim e anëtarët e rinj e gëzojnë të drejtën të thithin fonde”, tha ai.
I pyetur se si mund të hyjë Kosova në NATO kur ka vende anëtare që nuk e njohin shtetësinë, Haradinaj tha ato vende kanë mbështetur dialogun e lehtësuar nga BE-ja edhe planin franko-gjerman, dhe tha se do të kualifikohen nga këto vende si palë që ka kryer obligimin nga marrëveshja që ata e kanë e që tha se obligimi i atyre është që t’i hapin Kosovës perspektivën për anëtarësim në NATO.
Tutje, Haradinaj tha se shtylla e dytë që e ka targetuar është siguria energjetike, duke shtuar se do të ketë zbritje të çmimit të energjisë për 20 për qind. Për më tepër, ai theksoi se synon që të ketë ulje çmimi edhe më tepër, porse nuk po guxon të përmend shifra.
“Unë kam marrë përsipër që ta ulim çmimin e energjisë, duke liberalizuar tregun së pari. Tani e kam planin që për 2 vjet e gjysmë të zbres për 20 për qind çmimin e energjisë. Nga dita që e marr punën nuk ngritët më çmimi i energjisë. Çmimi do të zbritet, duke shtuar energjinë e ripërtritshme. Për 2 vite e gjysmë do ta kemi edhe centralin me gaz në Ferizaj. Projekti është i gatshëm”, tha tutje ai.
Në vazhdën e premtimeve ai i përmendi edhe ngritjen e pagave në sektorin publik, ku tha se paga minimale do të jetë 500 euro. Haradinaj, tha se në investimet parasheh në partneritet publiko-privat, derisa premtoi se në 100 ditshin e parë do të ndodhë dyfishimi i pagave.
Ai siguroi se brenda 6 muajsh do të përfundojë rruga Prishtinë-Podujevë, ndërsa rruga Prishtinë-Mitrovicë do të përfundojë brenda një viti, kurse rruga Prishtinë-Gjakovë do të përfundojë brenda 6 muajsh, ndërkaq magjistralja Prishtinë-Gjilan tha se do të kryhet brenda një viti.
Haradinaj foli për hekurudhën që lidhë Kosovën me Shqipërinë, që tha se do të aplikojë për mbështetje në fondet evropiane.
Haradinaj tha se beson që do ta kalojë 7 përqindëshin e rritjes ekonomike, që e quajti revolucion ekonomik. Ai tha se do të rritet borxhi publik, por do të mbajë të rinjtë në Kosovë.
Ai foli edhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë, për të cilin tha se në javën e parë do të dërgojë në Kushtetuese draftin për Asociacionin.























