Është hapur regjistrimi për ESG Adria Summit në Porto Montenegro
RTklive
ESG Adria Summit 2025, i cili do të mbahet nga 9 deri më 11 prill në Porto Montenegro, është ngjarja kryesore rajonale e dedikuar për qëndrueshmërinë, inovacionin dhe biznesin e përgjegjshëm.
I organizuar nga Sustineri Partners dhe Porto Montenegro në bashkëpunim me Qeverinë e Malit të Zi dhe nën patronazhin e presidentit të Malit të Zi, Samiti tashmë për të tretin vit radhazi mbledh mbi 600 pjesëmarrës nga sektori privat dhe publik, industria dhe komuniteti akademik, me synimin për të nxitur veprime konkrete në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm.
“Programi i këtij viti fokusohet në financimin e qëndrueshëm, tranzicionin energjetik, inovacionet teknologjike, ekonominë qarkore dhe rreziqet klimatike, me një theks të veçantë në qëndrueshmërinë e infrastrukturës, të ardhmen e punës dhe zinxhirët e furnizimit të qëndrueshëm. Programi përfshin punëtori interaktive dhe diskutime paneli që do t'u ofrojnë pjesëmarrësve njohuri praktike mbi sfidat kryesore dhe mundësitë e zhvillimit të qëndrueshëm,” thekson drejtoresha e Samitit, Biljana Braithwaite.
Ajo shton se përmbajtja është krijuar për të nxitur iniciativa konkrete dhe zhvillimin e modeleve të reja të biznesit që do të formësojnë të ardhmen e biznesit të qëndrueshëm. “Duhet t'u ofrojmë bizneseve një ngjarje që sjell përfitime dhe rezultate konkrete për rritjen dhe avancimin e tyre. Ka ardhur koha që t’i rikthejmë sektorit real besimin në idenë se së bashku mund të ndryshojmë drejtimin e zhvillimit të ekonomisë së rajonit tonë,” shton ajo.
Ndër folësit e konfirmuar janë Benedikt Franke, drejtor ekzekutiv i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, Ian Goldin, profesor në Universitetin e Oksfordit dhe ish-nënkryetar i Bankës Botërore, Dex Hunter-Torricke, ekspert i komunikimit nga Silicon Valley, Leo Johnson, kryetar i PwC UK Advisory Council, Robert Spano, ish-president i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Artur Lorkowski, drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, si dhe shumë liderë të tjerë nga fushat e qëndrueshmërisë, ekonomisë dhe teknologjisë. Gjithashtu, pritet pjesëmarrja e përfaqësuesve të institucioneve kryesore financiare ndërkombëtare. Lista e folësve dhe përfaqësuesve të kompanive të konfirmuara po rritet, dhe pritet që Samiti të tejkalojë atë të vitit të kaluar për nga numri i pjesëmarrësve.























