Shtrenjtimi i mundshëm i rrymës, ankohen qytetarët
Arbresha Berisha|RTK
Teksa qytetarët po ankohen për çmimet e larta të rrymës, operatorët e shpërndarjes së energjisë elektrike kanë kërkuar që tarifat të rriten këtë vit. Kërkesa këtë herë është që tarifat të rriten për rreth 35%. Kjo ka ngjallur reagim të qytetarëve. Nga Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike i thanë RTK-së se po i vlerësojnë aplikacionet.
Për rreth 35% po kërkohet që të rritet çmimi i energjisë elektrike gjatë këtij viti. Operatorët e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike tashmë kanë dërguar aplikacionet e tyre për rritje, të cilat janë duke u vlerësuar.
“Aktualisht, ZRRE është në proces të vlerësimit të këtyre aplikacioneve. Pas përfundimit të vlerësimit, ZRRE do ta publikojë raportin për konsultim me publikun për një periudhë dyjavore. Pas shqyrtimit të komenteve të marra gjatë periudhës së konsultimit, pritet që deri në fund të muajit mars t'i propozohet Bordit të ZRRE-së për vendimmarrje”, thekson Zyra e Rregullatorit për Energji.
Shtrenjtimi i tarifave të energjisë është kundërshtuar nga qytetarët, të cilët thonë se mezi po ia dalin t’i paguajnë faturat.
Nga KESCO është bërë thirrje për kursim të energjisë elektrike, pasi ata që shpenzojnë më shumë se 800 kë tariforen më shtrenjtë.
KESCO ka kërkuar që këtë vit të hyrat e lejuara maksimale për ta të jenë mbi 448 milionë euro, KEDS-i ka kërkuar mbi 217 milionë, derisa KOSST-I mbi 103 milionë euro.
Aprovimi i këtyre të hyrave nënkupton edhe ngritje të tarifave për qytetarët.























