Shqyrtohen aplikimet për raundin 10B të granteve investuese
M.M. /RTKlive
Në takimin e katërmbëdhjetë të Komisionit për Planifikim Strategjik, u diskutua lista e aplikimeve për raundin 10B të granteve investuese, me afat aplikimi deri më 7 mars. Aplikimet janë për dy projekte të rëndësishme, "Impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë" dhe "Përmirësimi i rrjetit të transmisionit VII". Komisioni miratoi listën për miratim të mëtutjeshëm në Qeveri.
Sot u zhvillua takimi i katërmbëdhjetë i Komisionit për Planifikim Strategjik, në të cilin krahas Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Avni Zogiani, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, anëtarë të kabineteve qeveritare, si dhe drejtues të zyrave në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive të linjës.
Gjatë takimit, u shqyrtua lista e aplikimeve për raundin 10B të granteve investuese në kuadër të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), për të cilat afati është data 7 mars. Aplikimet janë përgatitur nga ana e institucioneve të linjës, nën koordinimin e Zyrës së Kryeministrit dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe me institucionet financiare sponsorizuese të tyre, të cilat do të ofrojnë kredi për realizimin e këtyre projekteve.
Ministrja Rizvanolli prezantoi dy aplikime: aplikimi për grant investues për projektin “Impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë” që do të realizohet në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe aplikimin për grant investues për projektin “Përmirësimi i rrjetit të transmisionit VII”, që do të realizohet në bashkëpunim me Bankën Gjermane për Zhvillim. Ndërsa zëvendëskryeministri Bislimi theksoi nevojën e përgatitjes nga institucionet e linjës për raundin 11 të granteve investuese dhe raundin 32 të granteve të asistencës teknike, për të cilat afati i aplikimit është muaji qershor.
Pas prezantimit, Komisioni për Planifikim Strategjik aprovoi listën e aplikimeve për miratim të mëtutjeshëm në mbledhjen e Qeverisë.























