Fushatë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike
Sh.Ç /RTKlive
Pasi Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njoftoi se ka propozuar shtrenjtimin e energjisë elektrike për 15 për qind duke filluar nga 1 prilli, ka nisur një fushatë kundër këtij propozimi. “Asnjecentmeshume” është slogani i kësaj fushate që do të nisë për të kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Iniciatori i kësaj fushate është Luan Hasanaj, i cili tha se shumica e qytetarëve nuk mund të përballojnë rritjen e çmimeve.
“Miq, po e nisim një fushatë #ascnjecentmeshume për të e kundërshtuar propozimin e ZRRE-se për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Arsyet janë të bollshme, secili prej nesh i dinë. Shumica e qytetareve të Kosovës nuk mund të e përballojnë rritjen e çmimeve”, ka thënë Hasanaj.
Pasi Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njoftoi se ka propozuar shtrenjtimin e energjisë elektrike për 15 për qind duke filluar nga 1 prilli, ka nisur një fushatë kundër këtij propozimi. “Asnjecentmeshume” është slogani i kësaj fushate që do të nisë për të kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike
Dje, Zyra e Rregullatorit për Energji, ka njoftuar se pritet që rritja mesatare e tarifave për konsumatorët të jetë rreth 15 %.
“Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar Raportet Konsultative që lidhen me të hyrat maksimale të lejuara për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS), dhe furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU)”, thuhet në njoftim.
Publikimi i Raporteve Konsultative për të Hyrat Maksimale të Lejuara, sipas ZRRE-së përbën një hap të rëndësishëm në procesin e përcaktimit të tarifave dhe ka për qëllim të sigurojë mundësinë për përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara në këtë proces të rëndësishëm. Raportet Konsultative paraqesin propozimet fillestare të ZRRE-së për të hyrat maksimale të lejuara për këto ndërmarrje.
“Ky publikim ofron mundësinë që të gjitha palët e interesuara të shqyrtojnë propozimet dhe të japin komente dhe sugjerime që mund të ndikojnë në përcaktimin e vendimeve përfundimtare mbi tarifat. Bazuar në rezultatet e këtyre raporteve, pritet që rritja mesatare e tarifave për konsumatorët të jetë rreth 15 %”, thekson Zyra e Rregullatorit për Energji.
ZREE e konsideron konsultimin publik si një element kyç në zhvillimin e poktikave të qëndrueshme dhe transparente në fushën rregullative.
"Në këtë kuadër, ZRRE fton ndërmarrjet e rregulluara, konsumatorët dhe të gjitha palët e tjera të interesuara që të shqyrtojnë të dhënat dhe pikëpamjet e përfshira në Raportin Konsultativ dhe të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre", ka njoftuar Zyra e Rregullatorit për Energji.
Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind. Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.























