BQK nis Javën Ndërkombëtare të Parasë,ndërgjegjëson për siguri financiare
BKT
Ekonomi

BQK nis Javën Ndërkombëtare të Parasë,ndërgjegjëson për siguri financiare

M.P / RTKlive

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka nisur shënimin e Javës Ndërkombëtare të Parasë 2025, i cili ka për synim që të kontribuojë në përmirësimin e njohurive për çështjet ekonomike e ato financiare, për të gjithë qytetarët, veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë.

“Në kuadër të këtij organizimi, BQK-ja ka ndarë shpërblime për nxënësit e shkollave të arsimit të mesëm dhe të lartë – 5 për videot dhe 20 për punimet artistike më të mira– të cilat kishin për temë fushën e Edukimit Financiar, bazuar në ftesën publike të hapur në muajin shkurt 2025, në të cilën kanë aplikuar gjithsej 119 nxënës nga shkolla të ndryshme të vendit”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Guvernatori Ahmet Ismaili përgëzoi nxënësit gjatë ndarjes së çmimeve. Ai tha se institucioni

ka për qëllim edhe mbrojtjen e konsumatorëve, duke vendosur një fokus të veçantë tek të rinjtë, në funksion të zbatimit të Planit Strategjik.

"BQK-ja do ta ketë në fokus Edukimin Financiar, qasjen në financa dhe promovimin e gjithëpërfshirjes financiare, në bashkëpunim me institucionet relevante, duke vendosur një fokus të veçantë tek të rinjtë. Bota po ndryshon shpejt e ne duhet të jemi në hap me ndryshimet e avancuara të teknologjisë informative dhe transformimit digjital, pra duhet të përgatitemi që të përballemi me to në mënyrë të suksesshme", theksoi ai.

Java Ndërkombëtare e Parasë është iniciativë globale, e udhëhequr nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), bashkon 176 vende të botës për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e Edukimit Financiar. Këtë ngjarje sivjet BQK e organizon me moton "Mendo para se të klikosh, për një siguri financiare nesër", dhe do të shënohet me aktivitete nga data 17 deri më 21 mars 2025.


MË SHUME NGA Ekonomi