MFPT: Vonesat në pagesa, përgjegjësi e organizatave buxhetore
BKT
Ekonomi

MFPT: Vonesat në pagesa, përgjegjësi e organizatave buxhetore

G.K/RTKlive

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka reaguar pas raportimeve për vonesa në pagesat e orëve shtesë për policët dhe ushtarët, duke sqaruar se përgjegjësia për sigurimin e fondeve dhe përgatitjen e listave të pagave u takon organizatave buxhetore përkatëse.

“Përgjegjësia mbi përgatitjen e listave të pagave, e njëkohësisht edhe sigurimin se shuma e urdhëruar për pagesë është brenda kufijve buxhetorë të miratuar në ligjin për ndarje buxhetore, i takon secilës organizatë buxhetore përkatëse,” thuhet në reagimin e ministrisë.

MFPT ka bërë të ditur se Thesari vetëm ekzekuton pagesat, duke u siguruar që ato janë në përputhje me ndarjen buxhetore të miratuar.

“U takon organizatave buxhetore përkatëse që të planifikojnë buxhetin vjetor nëpër muaj dhe të sigurohen se kanë buxhetin e mjaftueshëm kur miratojnë shtesa tjera mbi pagën bazë,” thuhet më tej në sqarim.

Ministria ka paralajmëruar se tejkalimi i ndarjes buxhetore mujore mund të ndikojë në ekzekutimin e pagesave në kohë.

“MFPT, konkretisht Thesari, ka njoftuar me kohë organizatat buxhetore që të sigurohen se janë brenda buxhetit,” thekson njoftimi.

Në fund, MFPT ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur organizatat buxhetore në planifikimet e tyre, me qëllim që pagesat të kryhen në kohë dhe puna e kryer të kompensohet për të gjithë të prekurit.


MË SHUME NGA Ekonomi