Delegacioni i BQK-së në takimet pranverore të FMN-së dhe BB-së
BKT
Ekonomi

Delegacioni i BQK-së në takimet pranverore të FMN-së dhe BB-së

V.TH / RTKLive

Delegacioni i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili dhe i shoqëruar nga anëtarja e Bordit, Arta Hoxha, zëvendësguvernatorja Nesrin Shileku Shala dhe bashkëpunëtorë të tjerë, ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme në kuadër të Takimeve Pranverore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), të mbajtura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

BQK njofton se në kuadër të vizitës, delegacioni u takua me ekipin e Departamentit për Tregjet e Parasë dhe Kapitalit në FMN, të udhëhequr nga Jennifer Elliot, Këshilltare Rajonale.

Sipas njoftimit gjatë këtij takimi u diskutua progresi në zbatimin e rekomandimeve të mëhershme të FMN-së, përfshirë Rishikimin e Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSR), Vlerësimin e Masave Mbrojtëse (Safeguard Assessment) dhe asistencat teknike të ofruara deri tani.

Bisedimet u fokusuan në vazhdimin e bashkëpunimit në fushat e mbikëqyrjes bankare, sigurimeve dhe pensioneve, sigurisë kibernetike, si dhe përparimit të kornizës institucionale dhe ligjore të BQK-së. Në veçanti, theksi u vendos në zbatimin e Procesit të Rishikimit Mbikëqyrës (SREP), rishikimin e Kodit të Transparencës, zhvillimin e modeleve makroekonomike dhe përmirësimin e mbikëqyrjes së teknologjisë së informacionit dhe menaxhimit të rreziqeve kibernetike sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.

Po ashtu, delegacioni i BQK-së u prit nga drejtuesit e Institutit për Zhvillimin e Kapaciteteve (ICD) të FMN-së, të udhëhequr nga Drejtori Dominique Desruelle. Diskutimet përfshinë mundësinë e mbështetjes për zhvillimin e modeleve makroekonomike të përshtatura për nevojat e sektorit real dhe financiar në Kosovë, forcimin e analizave për politikëbërje dhe parashikim ekonomik, si dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore në këto fusha. Vlerësim të lartë morën edhe mundësitë për trajnime profesionale të stafit të BQK-së.

Guvernatori Ismaili prezantoi prioritetet strategjike të BQK-së dhe falënderoi FMN-në për mbështetjen e vazhdueshme. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e FMN-së vlerësuan angazhimin e lartë të BQK-së dhe rezultatet konkrete në zbatimin e rekomandimeve, duke shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje shtesë teknike.

Gjatë qëndrimit në Washington D.C., delegacioni i BQK-së pritet të zhvillojë edhe takime bilaterale me drejtues të institucioneve ndërkombëtare partnere, që janë të angazhuara në zbatimin e reformave legjislative dhe forcimin e kapaciteteve profesionale në përmbushje të mandatit të BQK-së.


MË SHUME NGA Ekonomi