Guvernatori i BQK-së diskuton projekte kyçe me drejtues të FMN-së dhe BB-së
BKT
Ekonomi

Guvernatori i BQK-së diskuton projekte kyçe me drejtues të FMN-së dhe BB-së

G.K/RTKlive

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, gjatë takimeve pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore, ka zhvilluar takime me drejtues të këtyre institucioneve, duke diskutuar projektet në proces dhe thellimin e bashkëpunimit për zhvillimin financiar të Kosovës.

Në takimin me Yigit Yasar, drejtor ekzekutiv në Konstituencën e FMN-së, u diskutua për projektet që janë në proces dhe mbështetjen për forcimin e kapaciteteve institucionale të BQK-së dhe mbikëqyrjes financiare. Guvernatori Ismaili falënderoi Yasar për mbështetjen e vazhdueshme që i është ofruar Kosovës në kuadër të kësaj konstituence.

Në një takim tjetër me Nathalie Francken, drejtoreshë ekzekutive në Bankën Botërore, u vlerësua lartë bashkëpunimi në projektet e sektorit financiar, përfshirë projektin për integrimin e Kosovës në SEPA (Zona e Pagesave në Euro) dhe zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta TIPS Clone. Guvernatori falënderoi Francken për mbështetjen profesionale që ekspertët e Bankës Botërore kanë ofruar në hartimin e kornizës ligjore dhe në fazën e implementimit të projektit.

"BQK mbetet e përkushtuar në thellimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për të avancuar zhvillimin financiar dhe forcimin e kapaciteteve institucionale në funksion të stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik", thuhet në njoftimin e këtij institucioni.

 


MË SHUME NGA Ekonomi