Odat ekonomike takojnë bizneset, shkak vendimi i ZRRE-së për energjinë
BKT
Ekonomi

Odat ekonomike takojnë bizneset, shkak vendimi i ZRRE-së për energjinë

Valjete Shala/ RTK

Oda Ekonomike e Kosovës, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane, Odën Gjermano-Kosovare, Klubin e Biznesit dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, organizoi një takim me përfaqësues të bizneseve që janë prekur nga vendimi i fundit i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që ka të bëjë me liberalizimin e tregut të energjisë.

Përfaqësues të odave ekonomike dhe të bizneseve u bashkuan për të kundërshtuar vendimin e ZRRE-së, duke kërkuar pezullimin e tij për të paktën një vit. Ata gjithashtu kërkuan takim me përfaqësuesit e ZRRE-së për të diskutuar kërkesat dhe shqetësimet e tyre.

“Ky vendim ka ardhur në një moment jo të mirë. Dalja në tregun e lirë është shqetësim i përbashkët,” tha Lulzim Rafuna nga Oda Ekonomike e Kosovës.

“Duhet të shtyhet të paktën për një apo dy vjet, derisa bizneset të jenë të gatshme për ta përballuar,” theksoi Skënder Krasniqi nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës.

Edhe përfaqësues të Odës Amerikane dhe asaj Gjermano-Kosovare kërkuan përgatitje të nevojshme për këtë proces, duke apeluar për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme. Ndërkohë, përfaqësues të bizneseve paraqitën qëndrimet dhe shqetësimet e tyre.

“Kërkojmë të shtyhet vendimi ose, nëse kjo nuk ndodh, të paktën të ofrohen subvencione për sektorin e prodhimit, në mënyrë që të përballojnë koston shtesë të energjisë,” u shpreh Kushtrim Ajvazi nga Shoqata e Prodhuesve Kosovarë.

“Ne nuk jemi të informuar për këtë proces. Kush jep garanci nëse nuk ka furnizim të qëndrueshëm me rrymë?” shtroi pyetjen një përfaqësues i bizneseve.

Nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, ata paralajmëruan se do të ndërmarrin forma të tjera të kundërshtimit, përfshirë protestat. Nga ana tjetër, ZRRE ka deklaruar se janë përmbushur kushtet e nevojshme për t’u mundësuar konsumatorëve që përmbushin kriteret të kalojnë në tregun e hapur dhe të përfitojnë nga konkurrenca.


MË SHUME NGA Ekonomi