Lansohet Qendra Evropiane e Inovacionit Digjital në ITP në Prizren
RTK
Në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren është lansuar Qendra Evropiane e Inovacionit Digjital (EDIH) – “Digital Innovation Gateway for Kosovo” (DIG-4K). Sipas organizatorëve, kjo ngjarje shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për transformim digjital.
Kjo nismë që synon mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe organizatat e sektorit publik, është lansuar në Prizren në Parkun e Inovacioneve dhe Trajnimeve.
Përmes Qendrës Evropiane të Inovacionit Digjital, synohet që këtyre ndërmarrjeve apo organizatave t'u ofrohet qasje në mjete të avancuara, ekspertizë të përshtatur dhe infrastrukturë thelbësore për të nisur ose përparuar përpjekjet për digjitalizim dhe për të përmirësuar konkurrueshmërinë e tyre në ekonominë digjitale.
Sipas organizatorëve, kjo ngjarje shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për transformim digjital.
DIG-4K është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit “Digital Europe” dhe Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Ekonomisë.
Në ngjarjen lansuese të kësaj nisme, ministrja në detyrë, Artane Rizvanolli, Ministre në detyrë e Ekonomisë, theksoi vizionin e përbashkët për të ardhmen digjitale të Kosovës.
Ndërsa AnnaCarin Platon nga zyra e BE-së në Kosovë, nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për integrimin e Kosovës në tregun unik digjital. Muhamed Rexhepi, Drejtor Ekzekutiv i ITP Prizren, tha se ITP është e përkushtuar për të nxitur inovacionin.
Ngjarja u përmbyll me hapjen zyrtare të thirrjes për aplikime për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), të cilat duan të përfitojnë nga shërbimet që ofron EDIH DIG-4K.























