AUV: Peshku në tregun e Kosovës, është i sigurt për konsum
E.Hoti/RTKlive
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka thënë se peshku në tregun e Kosovës është i sigurt për konsum.
Kjo deklaratë e AUV vjen pas raportimeve në media se qytetarët e Kosovës kanë konsumuar peshk me krimba Anisakis.
Në një njoftim të lëshuar në Facebook, AUV thotë se disa produkte të peshkut i nënshtrohet një trajtimi për të vrarë parazitët e mundshëm që mund të paraqesin rrezik për qytetarët.
“Pika D e Kapitullit III të Seksionit VIII të Shtojcës III të Rregullores (KE) Nr 853/2004 përmban një kërkesë që disa produkte peshku t’i nënshtrohen një trajtimi të mjaftueshëm për të vrarë parazitët e mundshëm që mund të paraqesin rrezik për shëndetin e konsumatorit”.
“Zbatohet për produktet e peshkut që synohen të konsumohen të papërpunuara dhe produktet e peshkut që nuk i janë nënshtruar, ose nuk synohen para konsumimit t’i nënshtrohen, një trajtimi që vret parazitë të tillë. Fazat larvore të parazitëve të tillë që paraqesin rrezik për shëndetin e konsumatorit janë (1) nematoda, kryesisht larvat e specieve Anisakis dhe Pseudoterranova decipiens, (2) larvat (plerocerkoide) të Diphyllobothrium cestodes dhe (3) larvat (metacercariae) të trematodave”, thuhet në reagimin e AUV-it.
Tutje AUV shton se është e domosdoshme të sqarohet se ngarkesat me peshk nga ShBA-ja, Kanadaja, Spanja, Kroacia, Maqedonia e Veriut, në Kosovë vijnë të ngrira në më shumë se -18 gradë Celsius dhe me certifikata shëndetësore të autoriteteve të këtyre vendeve.
“Lloji i peshkut Merluc (hake) i cili gjendet në tregun e Kosovës për të cilin bëhet fjalë, përveç se është i ngrirë, i përket llojit i cili është i dedikuar për t’u përgatitur me trajtim të nxehtësisë (D.M.TH të gatuhet) e jo si i freskët apo i shkrirë në specialitete si ‘krudo’ apo ‘sushi’ me ç’rast nuk mundet të vihet para konsumatorit nëse përmban parazit”, thuhet në ndër të tjera në reagim.
Gjithashtu AUV ka publikuar edhe metodat për vrasjen e fazave të lavrave të parazitëve në peshk.























