Instituti "Riinvest" shënon 30-vjetorin e themelimit
Sh.G|RTKlive
Sot, Instituti ‘Riinvest’ shënon 30-vjetorin e themelimit të tij. Me këtë rast, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, foli drejtori ekzekutiv i institutit, Alban Hashani, i cili vlerësoi rolin e rëndësishëm që ka pasur ‘Riinvest’ në zhvillimin ekonomik të Kosovës, sidomos në kohët më të vështira të historisë së saj.
“Instituti ‘Riinvest’ e shënon 30-vjetorin e themelimit – sigurisht për të gjithë ne ky institut mbetet një projekt shumë i veçantë, duke marrë parasysh që u krijua në kushte shumë të vështira të viteve ’90. Të gjithë e dinë kushtet në të cilat Kosova ka qenë në atë periudhë efektivisht nën okupim dhe përveç pjesës së diskutimeve në diplomacinë botërore për çështjen e Kosovës, ka qenë e rëndësishme që të ketë edhe argumente për pavarësinë ekonomike të Kosovës. Besoj që Instituti ‘Riinvest’ në këtë pikëpamje ka luajtur një rol të rëndësishëm për të dhënë argument se Kosova mund të jetë një shtet i pavarur ekonomikisht”, tha Hashani.
Ai shtoi se gjatë këtyre tri dekadave, Instituti ‘Riinvest’ ka ndjekur nga afër zhvillimet në vend dhe ka qenë aktiv në shumë procese.
“Pra, Instituti ‘Riinvest’ gjatë këtyre tri dekadave në masë të madhe ka përcjellë trajektoren që e ka ndjekur edhe Kosova dhe në shumë tema ka qenë i përfshirë, qoftë në argumentimin që Kosova ekonomikisht mund të jetë e pavarur, ndihmën që e ka dhënë për procesin e negociatave në Rambuje, por edhe më vonë në Vjenë, e të tjera”, përfundoi ai.























