FMN: BQK-ja ka bërë përparim në forcimin sistemit financiar
BKT
Ekonomi

FMN: BQK-ja ka bërë përparim në forcimin sistemit financiar

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) miratoi Rishikimin e IV-të të Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe Programit për Rezilencë dhe Qëndrueshmëri (RSF), duke konstatuar përfundimin me sukses të objektivave të të dy programeve, mbi bazën e performancës së fortë të dëshmuar dhe vlerësuar.

Në njoftimin e FMN-së, thuhet se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) po udhëheq me përkushtim zbatimin e reformave të rëndësishme për përmirësimin e qeverisjes dhe cilësisë institucionale, zhvillimin e mëtejshëm të sektorit financiar dhe forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike të vendit.

“Raporti i publikuar lidhur me këtë rishikim thekson se BQK-ja ka bërë përparim të rëndësishëm në forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit financiar. BQK ka rishikuar Rregulloren e Punës të Bordit të saj, ka zbatuar riorganizimin e brendshëm, ka miratuar planin trevjeçar për zbatimin e Procesit të Rishikimit dhe Vlerësimit Mbikëqyrës (SREP) për të përmirësuar mbikëqyrjen bankare dhe ka përmirësuar kërkesat për raportimin e të dhënave për regjistrin e kredive. Për më tepër, Ligji për Bankat, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në dhjetor të 2024-së, por më pas i kontestuar në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, do të ndihmojë në përmirësimin e kritereve të licencimit dhe qeverisjes korporative, forcimin e kompetencave mbikëqyrëse të BQK-së dhe fuqizimin e mekanizmave për përmbylljen e bankave që përballen me sfida për të ushtruar aktivitetin e tyre”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Tutje, FMN në raportin e saj thekson se reformat në vijim do të ndihmojnë në forcimin e rregullimit dhe mbikëqyrjes financiare, mbikëqyrjes së rrezikut sistemik, gatishmërisë për përballimin e krizave dhe proceseve dhe mekanizmave institucionale, me qëllim të ruajtjes së qëndrueshmërisë financiare.


MË SHUME NGA Ekonomi