Bizneset thonë se vetëm KESCO u ka dhënë oferta për furnizim energjetik
Arbresha Berisha /RTK
Kanë mbetur edhe 8 ditë para se bizneset të kalojnë në tregun e lirë energjetik e të zgjedhin vetë operatorin që do t’i furnizojë. Megjithatë, pavarësisht se janë 19 operatorë të licencuar, përfaqësues të bizneseve ngrenë shqetësime se kanë marrë oferta vetëm nga KESCO. Të njëjtat pretendohet se janë për rreth 300% më të shtrenjta se çmimi aktual.
Edhe pse në Kosovë janë të licencuar 19 operatorë energjetikë, KESCO është e vetmja që u ka bërë ofertë bizneseve për furnizim me energji elektrike pas kalimit në tregun e lirë.
Kështu të paktën pretendojnë përfaqësues të bizneseve, sipas të cilave, ky operator po synon tua shes energjisë qindra fish më shtrenjtë se çmimi aktual. E kjo thuhet se do të dëmtojë bizneset, e pastaj do të rrënojë jetën e qytetarëve me ngritjen e çmimeve.
Për shkak të çmimeve të larta e mospërgatitjes për treg të lirë, bizneset ende nuk kanë arritur marrëveshje për furnizim, edhe pse nga 1 qershori tregu do të liberalizohet.
Nga KESCO nuk kanë treguar se sa e kapin vlerën ofertat e tyre, megjithëse kanë deklaruar se bizneset do të tarifohen me çmime të tregut.
“Si furnizues i derregulluar, KESCO është e përkushtuar të bashkëpunojë dhe të zhvillojë takime me të gjitha bizneset që do të kalojnë në tregun e hapur të energjisë dhe që janë të interesuara për të pranuar oferta nga KESCO. Siç e dini, në treg të hapur bizneset do të tarifohen me çmime të tregut Pra, tarifa të rregulluara do të kenë vetëm bizneset të cilat plotësojnë kriteret për të vazhduar Furnizimin me Shërbim Universal”, tha Margarita Rashiti, zëdhënëse e KESCO-s.
Ndërsa, operatorë të tjerë energjetikë në vend thonë se kanë nisur përgatitjet që sa më shpejt të dalin me ofertat e tyre.
“Ne jemi duke u përgatitur dhe së shpejti do të fillojmë me ofertat. Kjo varet edhe nga çmimet e energjisë elektrike. Për secilin klient duhet ta kemi të qartë se në çfarë kohe ka shpenzime të energjisë elektrike dhe në bazë të tyre do të dërgojmë ofertat për klientë. ZRRE na ka dhënë rekomandim që të punojmë me marzhë sa më të vogël, sidomos në fazën fillestare. Çmimet e energjisë ndryshojnë varësisht nga koha”, thuhet në një deklaratë e leshura nga INFINIT ENERGY DOOEL - Dega në Kosovë.
Nga Zyra e Rregullatorit për Energji i kanë thënë RTK-së se edhe operatorët e tjerë do të jenë të gatshëm në momentin kur bizneset do t’i deklarojnë nominimet e tyre për furnizim.
Në lidhje me tregun e lirë energjetik, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka mbajtur një takim me përfaqësues të ZRRE-së dhe furnizues të licencuar. Ajo tha se ka inkurajuar furnizuesit qe të ofertojnë dhe të japin informata dhe shpjegime për bizneset lidhur me kontratat e ndryshme, dhe për komponentët e kostos në treg të lirë.























