Kurti: Bujqësia po kthehet në pasuri të re për vendin tonë
BKT
Ekonomi

Kurti: Bujqësia po kthehet në pasuri të re për vendin tonë

G.K/RTKlive

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka folur për Panairin AGROKOS & Agroturizëm 2025, një ngjarje e përvitshme ku përfaqësohen prodhues të kulturave bujqësore, përpunues të frutave dhe produkteve blegtorale, kompani të makinerive bujqësore, pijeve artizanale, ambalazhimit dhe standardizimit, si dhe agroturizmi, sektor i cili “po kthehet në një pasuri të re për vendin tonë.”

Kurti tha se kjo është rezultat i “trajtimit me prioritet e seriozitet që Qeveria i ka bërë sektorit të bujqësisë, dhe qeverisjes së mirë e të suksesshme të ministrit të linjës, Faton Peci.”

“Për herë të parë, janë ndarë 300 milionë euro për 120 mijë fermerë përmes granteve dhe subvencioneve, me ç’rast mbështetja për grurin është rritur me 275%, e për bujqësinë organike me 500%”, shkroi ai nw Facebook.

Kurti vuri në dukje rehabilitimin e sistemeve të ujitjes për mbi 11 mijë hektarë dhe rritjen me 50% të tokës punuese bujqësore në vetëm katër vjet, nga rreth 80 mijë hektarë në mbi 120 mijë hektarë.

Ai shtoi se “prodhimi vendor dhe konkurrueshmëria e produkteve tona në tregje të huaja është rritur,” duke theksuar se “nga viti 2019 deri më sot, eksporti i domateve, zarzavateve dhe perimeve të konservuara është shumëfishuar.”

Në sektorin e blegtorisë, sipas Kurtit, janë ndarë mbi 13 milionë euro për ndërtimin e 93 stallave të reja, shtimin e mbi 2,000 krerëve gjedhe dhe blerjen e dhjetëra traktorëve.

Ai përmendi gjithashtu kthimin në pronësi të shtetit të pronave me vlerë miliona euro, të cilat më parë ishin tjetërsuar në mënyrë të paligjshme.

"Kemi kthyer besimin te ligji, te drejtësia dhe te mbrojtja e pasurisë publike. 30 mijë fermerë në baza vjetore janë dëshmitarë përfitues të angazhimit të ministrisë dhe qeverisë në përgjithësi", shkroi kryeministri në detyrë.


MË SHUME NGA Ekonomi