BQK thellon bashkëpunimin me FMN-në për transparencë institucionale
RTKlive
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, së bashku me zëvendësguvernatoren Nesrin Shileku-Shala dhe stafin, ka zhvilluar takim me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të udhëhequr nga shefi i misionit, Arkadiusz Majewski.
Takimi u zhvillua në kuadër të asistencës teknike të FMN-së për rishikimin dhe zbatimin e Kodit të Transparencës për Bankat Qendrore.
Guvernatori Ismaili falënderoi FMN-në për mbështetjen dhe theksoi rëndësinë e forcimit të transparencës dhe qeverisjes së mirë në funksion të standardeve ndërkombëtare.
Misioni i FMN-së do të shqyrtojë nga afër praktikat e BQK-së në fushën e komunikimit dhe marrëdhënieve me institucionet, sektorin financiar dhe publikun, me qëllim rritjen e efektivitetit dhe llogaridhënies.
Ky projekt pason përvoja të ngjashme në rajon dhe dëshmon përkushtimin e BQK-së për avancim institucional dhe ndërtim të besimit publik.
BQK njofton se ky projekt synon të ndihmojë bankat qendrore në vlerësimin dhe përmirësimin e praktikave të transparencës institucionale, bazuar në Kodin e FMN-së për Transparencë në Bankat Qendrore.
"Qëllimi është të forcohet angazhimi me palët e interesit, të rritet efektiviteti i politikave monetare dhe financiare, dhe të promovohet llogaridhënia. Projekte të ngjashme janë realizuar edhe në rajon, përfshirë Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Pjesëmarrja e BQK-së në këtë projekt përbën dëshmi të qartë të përkushtimit për të avancuar komunikimin, transparencën dhe llogaridhënien institucionale, duke ndërtuar besimin e publikut dhe forcimin e standardeve në përputhje me Planin Strategjik dhe praktikat më të mira ndërkombëtare për bankat qendrore", njofton BQK.























