KEK: Modernizimi i ‘Kosova B’, projekt i rëndësisë strategjike
V.S|RTKlive
Korporata Energjetike e Kosovës thotë se modernizimi i Termocentralit “Kosova B” është në zbatim, duke e quajtur këtë si një prej projekteve më të rëndësishme strategjike për sistemin energjetik të Kosovës, me një kosto totale prej mbi 56 milion euro.
Sipas KEK-ut që ka shpërndarë një video gjatë punës që po bëhet në rehabilitimin e modernizimin e turbinës në njësinë B2 të Termocentralit ”Kosova B”, ky investim ka një përfitim të drejtpërdrejtë për sistemin energjetik të Kosovës.
“Ky projekt po zbatohet nga kompania prestigjioze General Electric, në partneritet të ngushtë me ekspertët dhe stafin profesionist të TCB-së, duke sjellë efikasitet të lartë dhe rritje të ndjeshme të kapaciteteve prodhuese. Rehabilitimi pritet të rrisë prodhimin nga 14 deri në 17 MW/h për njësi, ose 672 deri në 816 MW në ditë (24 orë) për të dyja njësitë prodhuese – B1 dhe B2”, thotë KEK-u.
Sipas tyre, ky vetë-implementim sjell efikasitet dhe ulje të ndjeshme të kostove.
“Korporata do të kursejë mbi 4 milionë euro për një njësi, ose 8 milionë euro në total për të dyja njësitë”, kanë treguar ata.























