Ndalohet importi i gjedheve nga një zonë në Francë
E.Hoti/RTKlive
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV), duke u mbështetur në raportet e fundit të Autoritetit për Sigurinë dhe Inspektimin e Ushqimit (ADIS) dhe Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), ka vendosur ndalimin e përkohshëm të importit të gjedheve të gjalla dhe nënprodukteve të tyre (përfshirë lëkurat) nga zona “Auvergne-Rhone Alpes” e Francës, pas konfirmimit të shpërthimit të sëmundjes gungore të lëkurës (Lumpy Skin Disease - LSD).
AUV ka njoftuar se autoritetet për kontroll kufitar janë të detyruara të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e kësaj ndalese, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të kafshëve në Kosovë.
“AUV është në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe po merr masa në kohë reale për parandalimin e përhapjes së sëmundjes në territorin e vendit tone”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se në përputhje me vendet e tjera dhe sipas standardeve ndërkombëtare, Kosova po vepron për parandalimin e përhapjes së LSD-së dhe çdo veprim i mëtejshëm do të përshtatet me protokollet veterinare për kontroll dhe kufizim të sëmundjeve.























