Një pjesë e fëmijëve, me trajtim të ndërlikuar, do të trajtohen në Holandë
Valjeta Shala/ RTK
Në Klinikën e Pediatrisë është mbajtur një konferencë lidhur me trajtimin e kancerit te fëmijët. Në këtë konferencë u theksua se tashmë një pjesë e fëmijëve, që kanë nevojë për trajtim më të ndërlikuar, do të kenë mundësinë të trajtohen në një nga qendrat më të specializuara të pediatrisë në Holandë.
14-vjeçarja Xhensila, ka gjashtë muaj që i nënshtrohet kimioterapisë për shkak të një tumori në veshka. Nëna e saj, Mirjeta Bajrami, tregon mbi sëmundjen dhe trajtimin që po i bëhet në Pediatrinë e QKUK-së.
“Vajza ka tumor në veshka, ka 6 muaj që është në kimioterapi. Unë jam e kënaqur me stafin dhe trajtimin. Të gjitha barnat, shumica nga to, nuk mungojnë”, tha Bajrami, raporton RTKlive.
Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në këtë klinikë janë regjistruar 25 raste të reja të kancerit te fëmijët. Por fatmirësisht, sipas Ushtrueses së Detyrës së Drejtoreshës së Pediatrisë në QKUK, Violeta Grajçevci-Uka, rastet e kancereve te fëmijët nuk kanë shënuar rritje.
“Zakonisht brenda vitit sillen nga 56-60 raste të kancerit te fëmijët. Rastet pothuajse në vitet e fundit janë të njëjta. Ne i mbulojmë mbi 70% të ilaçeve dhe qëndrojmë mjaft mirë edhe me barna, por edhe me kushtet për diagnostikim”, tha Grajçevci-Uka.
Me qëllim përmirësimin e kujdesit për fëmijët me kancer, një pjesë e fëmijëve që nevojitet trajtim më i ndërlikuar, mund të trajtohen në njërën nga qendrat më të mëdha për kancerin e fëmijëve në Evropë.
“Qëllimi i vizitës është të punojmë së bashku për të trajnuar profesionistët shëndetësorë ? mjekë dhe infermierë dhe për të përmirësuar diagnostikimin për të gjitha llojet e kancerit te fëmijët. Për disa pjesë shumë të ndërlikuara të trajtimit, ata mund të trajtohen në qendrën tonë në Holandë. Pas kësaj, ata mund të kthehen sërish këtu dhe ne vazhdojmë t’i ndihmojmë në distancë”, tha Rob Pieters, drejtor i Qendrës Princess Máxima.
Vizita e tij është mundësuar me ndihmën e organizatës humanitare ‘Care for Kosovo Kids’, e cila prej vitesh mbështet trajtimin e fëmijëve me kancer në Kosovë.























