Zyra për Rikthimin e Aseteve organizon punëtori për rritjen e efikasitetit
E.Hoti/RTKlive
Në kuadër të angazhimeve për luftimin e krimeve financiare dhe forcimin e mekanizmave institucionalë, Zyra për Rikthimin e Aseteve (ZRA) ka organizuar sot një punëtori me temën "Modalitetet e funksionalitetit dhe efikasitetit të ZRA-së".
Sipas njoftimit të kësaj Zyreje, punëtoria po zhvillohet nën udhëheqjen e prokurorit të Zyrës së Prokurorit të Shtetit, Bahri Hyseni, me pjesëmarrjen e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, si dhe koordinatorit për krime ekonomike, prokurorit Kujtim Munishi. Të pranishëm janë edhe përfaqësues të institucioneve të zbatimit të ligjit dhe partnerë ndërkombëtarë.
"Ky aktivitet organizohet në kuadër të projektit të mbështetur nga GIZ – “Combating Illicit Financial Flows in Kosovo”, dhe synon rritjen e kapaciteteve të ZRA-së në parandalimin dhe rikthimin e aseteve të fituara në mënyrë të paligjshme", thuhet në njoftim.
Gjatë punëtorisë po trajtohen çështje të rëndësishme që ndërlidhen me përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe operacionale të ZRA-së, në funksion të një përgjigjeje më efektive ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT). Kjo është një ndër shtyllat kryesore për përmbushjen e kritereve të Bashkimit Evropian në kuadër të Acquis Communautaire.
Tutje theksohet se punëtoria do të vazhdojë me diskutime konkrete dhe propozime për avancimin e politikave dhe praktikave që do ta bëjnë këtë zyrë edhe më funksionale dhe të pavarur në misionin e saj.























