Largimi nga lista e vendeve në konflikt rrit shpresat për investime
BKT
Ekonomi

Largimi nga lista e vendeve në konflikt rrit shpresat për investime

Arbresha Berisha | RTK

Largimi i Kosovës nga lista e Bankës Botërore për shtetet të cilat janë në situata të konfliktit është vlerësuar si hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të imazhit të vendit. Njohës të ekonomisë thonë se pas këtij vendimi të Bankës Botërore, vendi do të ketë mundësi më të favorshme për financim zhvillimor e po ashtu edhe për tërheqjen e investimeve të huaja.

Vendimi i Bankës Botërore u mirëprit nga njohës të sistemit financiar të cilët thonë se imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare po përmirësohet.

“Republika e Kosovës aktualisht ka një imazh jo të mirë në arenën ndërkombëtare, duke marrë për bazë edhe konfliktin në veri e njëkohësisht edhe mos formimin e institucioneve. Por, tashmë Banka Botërore ka një reputacion tepër të mirë dhe mendoj se do ta rrisë percepsionin dhe do ta rrisë edhe dëshirën e investitorëve të huaj për të hulumtuar për investime në Kosovë, duke marrë për bazë edhe taksat që i ka Kosova dhe njëkohësisht edhe fuqinë punëtore”, tha për RTK-në, Lulzim Beqiri, njohës i ekonomisë.

E me largimin nga kjo listë vlerësohet se do të rritet edhe besimi i investitorëve të huaj.

Përderisa Kosova ndër vite është përballur me sfida në tërheqjen e investimeve të huaja, largimi i vendit nga lista e Bankës Botërore për shtetet në situata konflikti vlerësohet se do të rrisë besimin te investitorët e huaj që të vendosin kapitalin e tyre në Kosovë.

Sipas Bankës Qendrore, heqja e Kosovës nga lista e FCS-së do ta përmirësojë perceptimin ndërkombëtar për stabilitetin institucional dhe ekonomik të vendit si dhe do të ofrojë mundësi më të favorshme për financim zhvillimor dhe qasje në kapital privat.


MË SHUME NGA Ekonomi