Bajrami:Prokuroria ta hetojë zinxhirin vendimmarrës në sektorin e energjisë
E.Hoti/RTKlive
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), pas njoftimit se më 30 korrik përfundon periudha e furnizimit të garantuar me energji për biznese nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami e ka quajtur “skandaloze” thirrjen e ZRrE-së për bizneset që të lidhin kontrata me operatorë privatë të furnizimit me energji, ndërkohë që sipas saj, ende nuk janë lëshuar faturat për muajin qershor nga KEK-u si furnizues i përkohshëm.
“Si mund t’u bëni thirrje bizneseve të lidhin kontrata, kur ende nuk e dinë sa do t’i kushtojë energjia për muajin e kaluar? KEK-u nuk ka lëshuar ende faturat e qershorit,” shkroi Bajrami, duke shtuar se importi i energjisë është rritur tetëfish që nga 1 qershori, kur bizneset dolën në treg të lirë.
Ajo akuzon ZRrE-në për papërgjegjësi dhe injorim të realitetit në terren. “Ju po e injoroni faktin se fatura e qershorit dhe ofertat nga operatorët privatë janë vendimtare nëse këto biznese do të mbijetojnë,” theksoi Bajrami.
Deputetja ngriti edhe pikëpyetje mbi pasojat që mund të sjellë mungesa e kontratave pas datës 1 gusht.
“Çfarë do të ndodhë me bizneset që nuk do të lidhin kontrata? Do t’i leni pa rrymë, do t’i mbyllni, apo do t’i lini mbi 100 mijë punëtorë në rrugë?” pyeti ajo me tone të ashpra.
Ajo po ashtu vuri në dyshim deklarimet e ZRrE-së se Gjykata ka vendosur në favor të saj. “Në muajin e fundit jemi dëshmitarë të dhjetëra vendimeve të Gjykatës Komerciale në favor të bizneseve, jo të ZRrE-së,” shkroi Bajrami.
Në fund të reagimit të saj, Bajrami i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetojë të gjithë zinxhirin vendimmarrës në sektorin e energjisë.
“Nuk mund të sakrifikojmë gjithë shtetin për fitimet e tregtarëve të energjisë dhe lidhjet e tyre me pushtetarë,” përfundoi ajo.























