Bizneset kërkojnë shtyrjen e vendimit për dalje në tregun e lirë energjetik
BKT
Ekonomi

Bizneset kërkojnë shtyrjen e vendimit për dalje në tregun e lirë energjetik

Arbresha Berisha /RTK

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka kërkuar që të shtyhet vendimi për daljen në tregun e lirë energjetik, duke i dërguar një letër Qeverisë, ZRRE-së dhe KEK-ut. Përfaqësues të saj paralajmëruan mbylljen e një pjesë të bizneseve nëse nuk shtyhet ky vendim. KEK-u ka paralajmëruar se nga 1 gushti, të gjitha bizneset e mëdha që nuk kanë lidhur marrëveshje për furnizim me operatorët privat, do të mbesin pa energji elektrike.

Nga 1 gushti dy kompanitë e Hamdi Malushajt me rreth 3 mijë punëtorë pritet të mbesin pa energji elektrike. Kjo pasi ai nuk ka lidhur marrëveshje për furnizim me operatorët privatë, e as nuk e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë.

Malushaj tha se mbi 1 mijë punëtorë rrezikojnë të mbesin pa punë për shkak të vendimit të ZRRE-së për daljen në tregun e lirë energjetik.

Të gjithë ato biznese që kanë dalë në tregun e lirë energjetik, por që nuk kanë lidhur marrëveshje me operatorë privat për furnizim, nga 1 gushti do të mbesin pa energji elektrike.

Për këtë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë iu drejtua të premten qeverisë, ZRRE-së dhe KEK-ut me kërkesën që të shtyhet afati për liberalizimin e tregut energjetik.

“Ky proces të shtyhet dhe gjithashtu të nisë nga fillimi një rishqyrtim i tërësishëm i gjithë procesit të liberalizmit të energjisë sepse përpos ne që kemi thënë se ky proces nuk duhet të vazhdojë në këtë formë siç është, është vërtetuar edhe nga Bashkimi Evropian”, tha Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë

Ndërkaq, Skënder Krasniqi nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë theksoi se është një ngarkesë më e madhe që ka me i ndodh biznesit që do të afektojë jashtëzakonisht sidomos te qytetari, rritja e çmimeve, largimi i punëtorëve nga puna dhe rënie e të hyrave për shtetin.

Në rast se nuk plotësohen kërkesat e bizneseve, nuk janë përjashtuar protestat nga 1 gushti.

Megjithatë, nga Zyra e Rregullatorit për Energji u kanë bërë thirrje bizneseve që të lidhin sa më shpejt kontrata për furnizim, pasi nga 1 gushti ka paralajmëruar ndërprerje të energjisë elektrike.


MË SHUME NGA Ekonomi