OEK kundërshton ndërprerjen e energjisë: Rrezikohet funksionimi i bizneseve
BKT
Ekonomi

OEK kundërshton ndërprerjen e energjisë: Rrezikohet funksionimi i bizneseve

E.Hoti/RTKlive

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për ndërprerjen e energjisë elektrike ndaj një numri të madh biznesesh, duke e cilësuar këtë veprim si të jashtëligjshëm dhe thellësisht të dëmshëm për ekonominë e vendit.

Sipas OEK, ky vendim ka shkaktuar situatë kaotike në terren, me pasoja direkte për funksionimin e bizneseve dhe imazhin e Kosovës si vend i sigurt për investime. “Prania e policisë bashkë me zyrtarët e KEDS-it në objektet e bizneseve për të ndërprerë energjinë elektrike, ka krijuar një klimë të pasigurt, veçanërisht për investitorët e huaj”, thuhet në reagimin e OEK.

Oda thekson se kanë pranuar shumë ankesa nga biznese të cilave u është ndërprerë energjia, edhe pse kishin kontrata aktive ose nuk plotësonin kushtet ligjore për të kaluar në tregun e lirë të energjisë. Kjo, sipas tyre, dëshmon se procesi i liberalizimit të tregut është zbatuar pa përgatitje të duhur dhe në mënyrë të njëanshme.

“Veprimet e ZRrE-së dhe KEDS-it janë arbitrare dhe të papërgjegjshme. I bëjmë thirrje autoriteteve që të ndalojnë menjëherë këto masa të dëmshme dhe të kthehen në tryezën e dialogut me përfaqësuesit e sektorit privat,” ka deklaruar Oda Ekonomike.

Në fund të reagimit, OEK thekson rëndësinë e bizneseve në zhvillimin ekonomik të vendit, duke rikujtuar se ato përfaqësojnë 60% të ekonomisë dhe sigurojnë punësim për mbi 143 mijë qytetarë.

“Sot, të vetmit që janë gëzuar nga ky vendim janë armiqtë e Kosovës,” përfundon deklarata e OEK.


MË SHUME NGA Ekonomi