ASK: Më pak raste me sëmundje malinje në 2024
V.Th / RTKLive
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin vjetor "Statistikat e Shëndetësisë 2024", i cili ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse të burimeve njerëzore dhe aktiviteteve shëndetësore në institucionet publike dhe private të Republikës së Kosovës.
Publikimi përmban të dhëna për numrin e të punësuarve në sektorin shëndetësor, strukturën e vizitave mjekësore, përhapjen e sëmundjeve malinje dhe ngjitëse, si dhe informacione mbi institucionet shëndetësore private të licencuara dhe sigurimet shëndetësore.
Sipas të dhënave të ASK-së, në vitin 2024 është regjistruar një rënie prej 12,5% e rasteve të reja me sëmundje malinje dhe beninje, krahasuar me vitin paraprak.
Në vitin 2023 u regjistruan 4 165 raste të reja, në vitin 2024, ky numër ra në 3 644 raste.
“Ky zhvillim pozitiv lidhet ngushtë me përmirësimin e qasjes në shërbime parandaluese dhe rritjen e vetëdijes për kontrollin e hershëm”, thuhet në raportin e ASK-së.
ASK thekson se gjatë vitit 2024 është shënuar një rritje e dukshme e vizitave parandaluese në të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor – primar, sekondar dhe terciar.
Gjatë vitit 2024, numri i të punësuarve në sektorin publik shëndetësor arriti në 14 008 persona, të ndarë sipas profileve profesionale si më poshtë: Mjekë specialistë – 3 031, Infermierë – 7 969, Mjekë stomatologë – 378, Farmacistë – 106, Fizioterapistë – 60, Bashkëpunëtorë shëndetësorë – 234, Staf jo-mjekësor – 2 230.
Mbi 14 mijë profesionistë të licencuar nga Odat përkatëse
Numri i profesionistëve shëndetësorë të licencuar në vitin 2024 ka arritur në 14 524, nga të cilët: 5 656 mjekë, 3 563 infermierë, 2 522 stomatologë, 1 488 farmacistë, 1 295 fizioterapistë
Nga ky numër, 8 099 janë femra, ndërsa 6 424 janë meshkuj, duke treguar një pjesëmarrje të gjerë gjinore në profesionet shëndetësore.
Gjatë vitit 2024 janë licencuar gjithsej 2 379 institucione private shëndetësore, përfshirë: 32 spitale private, 2 347 institucione të tjera, si: ambulanca, poliklinika, laboratorë, kabinete mjekësore etj.
Llojet më të shpeshta të institucioneve të licencuara janë: Ambulanca stomatologjike – 439, Ambulanca gjinekologjike – 191, Qendra diagnostike – 167,
Përveç të dhënave mbi punësimin dhe institucionet, publikimi përfshin edhe informacione të rëndësishme mbi:
Aktivitetet në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), spitalet e përgjithshme dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)
Shërbimet para-klinike dhe laboratorike, të prekurit me tuberkuloz (TBC), sëmundjet ngjitëse dhe rastet me COVID-19, të prekurit me HIV në katër vitet e fundit, Sigurimet shëndetësore, të lënduarit dhe të vdekurit në vendin e punës, shërbimet e shëndetit mendor dhe vizitat stomatologjike etj. Në këtë publikim ofrohen të dhëna edhe për të prekurit me HIV në katër vitet e fundit.























