Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor 2025 përmbyllet në Shkup
RTKlive
Me miratimin e dy deklaratave të rëndësishme të përbashkëta dhe një set përfundimesh strategjike, Samiti i Shtatë Digjital i Ballkanit Perëndimor (WBDS), i bashkëorganizuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC), u përmbyll sot në Shkup, duke shënuar një hap të ri drejt ndërlidhshmërisë digjitale dhe integrimit më të thellë me Bashkimin Evropian.
Në Deklaratën e Përbashkët për një Ballkan Perëndimor të Lidhur Digjitalisht, ministrat dhe përfaqësuesit qeveritarë të vendeve të rajonit riafirmuan angazhimin për forcimin e ndërlidhshmërisë digjitale brenda rajonit dhe me BE-në.
Bazuar në suksesin e marrëveshjes “Roam Like at Home” dhe deklaratën BE–BP për roaming të vitit 2023, vendet u zotuan të përafrojnë legjislacionin kombëtar me kuadrin e BE-së dhe të ndërmarrin hapa konkretë për futjen e regjimit RLAH edhe ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Po ashtu, palët nënshkruese u bënë thirrje operatorëve të shqyrtojnë ulje të mëtejshme të tarifave të roamingut. Një tjetër moment kyç i samitit ishte Deklarata e Përbashkët për Kuletat Digjitale të Identitetit dhe Shërbimet e Besueshme të Ndërveprueshme, me të cilën vendet e rajonit u pajtuan për zhvillimin e kuletave të identitetit digjital që funksionojnë në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Dokumenti parashikon harmonizimin e shërbimeve të besueshme, forcimin e kapaciteteve teknike e rregullatore dhe garantimin e qasjes së sigurt në shërbimet digjitale për qytetarët dhe bizneset – në përputhje me standardet e reja të BE-së eIDAS 2.0.
Përfundimet e Samitit theksuan gjithashtu synimin e rajonit për të: përafruar politikat me Aktin e Shërbimeve Digjitale, Aktin e Tregjeve Digjitale dhe Aktin për Inteligjencën Artificiale të BE-së; lehtësuar barrat rregullatore dhe përshpejtuar shtrirjen e rrjeteve “broadband”; forcuar sigurinë kibernetike në bashkëpunim me ENISA-n dhe krijuar një bazë rajonale të të dhënave për nevojat kibernetike; përdorur për herë të parë indeksin DESI për Ballkanin Perëndimor, për matjen e progresit digjital; nxitur inovacionin dhe përfshirjen e të rinjve përmes nismave rajonale, si Balkathon i RCC-së.
Samiti dyditor mblodhi së bashku liderë qeveritarë, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare, si dhe sipërmarrës, inovatorë e përfaqësues të shoqërisë civile nga i gjithë rajoni. Diskutimet u përqendruan në tema kyçe si shërbimet digjitale, ndërveprueshmëria, inteligjenca artificiale, siguria kibernetike dhe zhvillimi i aftësive digjitale – fusha të cilat mbeten prioritare në kuadër të Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025–2028 dhe Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.























