Rreziku nga `Gjuha e Kaltër`, ndalohet importi i kafshëve nga Mali i Zi
BKT
Ekonomi

Rreziku nga `Gjuha e Kaltër`, ndalohet importi i kafshëve nga Mali i Zi

E.H|RTKlive

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka vendosur masë ndalese të përkohshme për importin e kafshëve të gjalla të llojit gjedhë, dele dhe dhi nga Mali i Zi, pas konfirmimit të shpërthimit të sëmundjes virale "Gjuha e Kaltër" (Bluetongue – BT) në territorin e këtij shteti fqinj.

Vendimi vjen pas njoftimeve të publikuara në sistemet ndërkombëtare të informacionit veterinare, ADIS dhe WAHIS, ku është raportuar për rastet e konfirmuara të kësaj sëmundjeje.

“Për të parandaluar përhapjen e sëmundjes në territorin e Republikës së Kosovës, autoritetet kufitare,  përfshirë Policinë e Kosovës, Doganat dhe AUV  janë urdhëruar të zbatojnë masa të shtuara kontrolli në të gjitha pikat kufitare dhe të ndalojnë hyrjen e kafshëve të gjalla të përmendura nga Mali i Zi”, thuhet në njoftimin e AUV-it.

AUV thotë  se të gjitha institucionet përkatëse janë të obliguara të bashkëpunojnë dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të mbrojtur shëndetin e kafshëve dhe për të ruajtur sigurinë e sektorit bujqësor.

Çfarë është sëmundja “Gjuha e Kaltër”?

“Gjuha e Kaltër” është një sëmundje virale e transmetueshme përmes pickimit të insekteve të llojit Culicoides (mushkonja).

Ajo prek kryesisht ruminantët shtëpiak si gjedhë, dele dhe dhi, me delet që janë më të ndjeshme ndaj sëmundjes.

Gjedhët, megjithëse mund të mos shfaqin simptoma të rënda, shërbejnë si rezervuar i virusit.

Sëmundja nuk është zoonotike dhe nuk transmetohet te njerëzit, pra nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.

 


MË SHUME NGA Ekonomi