Mbahet sesioni informues për Skemën e Granteve për Energji të Pastër
E.Hoti/RTKlive
Në Prishtinë është mbajtur sesioni i parë informues me bizneset lidhur me Skemën e Granteve për Energji të Pastër, ku u njoftua se aplikimi në kuadër të kësaj skeme është hapur sot përmes platformës e-Kosova.
Skema ofron mbështetje financiare deri në 25,000 euro për biznes, ndërsa projekti është financuar nga Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut dhe zbatuar nga KIESA/MINT në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe agjencinë LuxDev, që vepron në fushën e bashkëpunimit zhvillimor.
Gjatë sesionit, përfaqësues nga KIESA dhe Ministria e Ekonomisë, përfshirë Zef Dedajn, Gent Berishën dhe Mirlinda Bajramin, prezantuan detajet e skemës dhe udhëzimet për aplikim, ndërsa përfaqësuesit e bizneseve shfaqën interes dhe bënë pyetje për mënyrën e përfitimit nga grantet dhe procedurat e aplikimit.
“Skema përfshin tri masa kryesore mbështetëse si sistemet e energjisë solare dhe bateritë për ruajtjen e energjisë elektrike, masat për efiçiencën e energjisë në ndërtesat e bizneseve, dhe masa pajisjet që ulin konsumin e energjisë në linjat e prodhimit”, thuhet në njoftim.
Ministria e Ekonomisë njofton se në kuadër të kësaj skeme mbështeten bizneset që investojnë në sisteme solare për prodhimin e energjisë elektrike dhe ngrohjen e ujit, izolimin e ndërtesave, bateri për sistemet fotovoltaike dhe shndërrues frekuencor për rritjen e efiçiencës së pajisjeve ekzistuese.
“Vlera e mbështetjes mund të arrijë deri në 20,000 euro për një masë të vetme dhe deri në 25,000 euro për kombinim masash. Përveç financimit, skema ofron edhe ngritje kapacitetesh dhe asistencë teknike për përfituesit”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se buxheti total i skemës është 1,000,000 euro, financuar nga Qeveria e Luksemburgut dhe zbatuar në bashkëpunim nga KIESA/MINT, Ministria e Ekonomisë dhe LuxDev.
Bizneset mund të aplikojnë deri më 9 dhjetor 2025 përmes platformës elektronike e-Kosova në linkun: https://ekosova.rks-gov.net/699.
























