Kastrati: Pa statistika, vendimmarrjet nuk janë adekuate
BKT
Ekonomi

Kastrati: Pa statistika, vendimmarrjet nuk janë adekuate

K. K. / RTKlive

Me rastin e Ditës Botërore të Statistikave, Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, theksoi rëndësinë jetike të statistikave në shoqëritë moderne, si për institucionet qendrore dhe lokale, ashtu edhe për bizneset dhe shfrytëzuesit individualë.

Ai për emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, tha se “Të dhënat statistikore janë një orientim, një busull apo GPS për kohën e sotme. Pa statistika, vendimmarrjet nuk janë adekuate. Praktika e shteteve të zhvilluara tregon se vendimet e rëndësishme bazohen në statistika të sakta dhe të besueshme”.

Kastrati foli edhe për rëndësinë e Regjistrimit të Popullsisë, si një projekt që realizohet një herë në dhjetë vjet në Kosovë ndërsa në disa vende edhe çdo pesë vjet dhe që shërben si bazë për verifikimin e të dhënave nga burime të tjera si anketat dhe burimet administrative.

“Regjistrimi është një pasqyrë për një moment të caktuar në kohë, por statistikat nuk ndalen aty, ato vazhdojnë menjëherë pas tij. Regjistrimi na ndihmon të kuptojmë nëse burimet e tjera statistikore janë përfaqësuese dhe të besueshme”, pohoi Kastrati.

Në lidhje me sfidat e procesit, Kastrati tha se, ndonëse regjistrimi është një projekt kompleks, Kosova nuk është përballur me vështirësi madhore.


MË SHUME NGA Ekonomi