Kosova, nikoqire e konferencës rreth energjisë
BKT
Ekonomi

Kosova, nikoqire e konferencës rreth energjisë

Sh.G|RTKlive

Komiteti Nacional i CIGRE Kosovë organizon konferencën më të madhe dhe më të specializuar në sektorin energjetik në vend, e cila zhvillohet nën ombrellën e CIGRE, rrjetit global të ekspertëve të energjisë elektrike.

Kjo ngjarje bashkon profesionistë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët do të diskutojnë sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit energjetik në Kosovë dhe më gjerë.

Përmes këtyre bisedave, synohet të avancohen praktikat dhe teknologjitë inovative që do të kontribuojnë në sigurimin e një energjie të pastër dhe të qëndrueshme për të ardhmen.

E ftuar në RTK, Pranvera Dobruna Kryeziu, kryetare e Komitetit Nacional CIGRE Kosovë.

"CIGR është një organizatë ndërkombëtare për ekspertizën në sektorin e energjisë. Kosova është bërë anëtare në vitin 2017 dhe çdo dy vite ne i mbajmë në konferencat tona nacionale, jemi prezent në shumicën e konferencave rajonale edhe botërore", tha ajo.

Ajo theksoi edhe përfshirjen e saj në nivele të larta të organizatës "Unë tash për shembull kam qenë në Lion të Francës si anëtare stering komitete, d.m.th kemi mbërritur me pas edhe rol ekzekutiv edhe brenda organizatës", theksoi Dobruna Kryeziu.

Këtë vit, konferenca do të mbledhë rreth 200 pjesëmarrës dhe do të prezantohen mbi 50 punime profesionale.

"Do të diskutohen çështjet që janë më aktuale për sektorin e energjisë. Pse e bën CIGR-në më të njohur, sepse merret vetëm me çështje profesionale. Ne diskutojmë prej gjenerimit deri te furnizimi", tha ajo.

Ndër anëtarët kolektivë të CIGRE Kosovë përfshihen KOSTT, OST e Shqipërisë, KEDS, KEK dhe dy universitete.

"Çdo gjë që ka lidhje me sektorin e energjisë diskutohet, trajtohet në kuadër të konferencës tonë edhe takimeve të rregullta që i kemi gjatë vitit," përfundoi Dobruna Kryeziu.

 


MË SHUME NGA Ekonomi