Prezantohen mundësitë që ofron Kosova për investime
RTKlive
Sot, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK/KDWV), në bashkëpunim me Konsullatën e Republikës së Kosovës në Shtutgart dhe me mbështetjen e IHK Stuttgart (Industrie- und Handelskammer Region Stuttgart), organizoi një drekë pune në kuadër të projektit me GIZ, dedikuar promovimit të Kosovës dhe ITP Prizren si destinacione tërheqëse për investime dhe bashkëpunim ekonomik.
"Fokusi i takimit ishte prezantimi i mundësive që ofron Kosova, respektivisht ITP, në sektorët e teknologjisë së informacionit, energjinë e qëndrueshme, ekonominë kreative dhe prodhimin, si dhe forcimi i lidhjeve ndërmjet komunitetit biznesor kosovar dhe gjerman. Kjo ngjarje përbën pjesë të përpjekjeve të vazhdueshme të OEGJK-së për të mbështetur partneritete të reja dhe zhvillim ekonomik ndërmjet dy vendeve. Një falënderim i veçantë për Fëllanza Podrimja, Këshilltare Politike e Kryeministrit në detyrë, dhe Hamdi Bërbatovci, Udhëheqës i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Shtutgart, për mbështetjen dhe kontributin e tyre në realizimin e këtij aktiviteti, si dhe kompanive pjesëmarrëse nga të dyja shtete", njofton OEGJK.























