BQK promovon qasjen financiare për personat me aftësi të kufizuara
BKT
Ekonomi

BQK promovon qasjen financiare për personat me aftësi të kufizuara

E.Hoti/RTKlive

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka lansuar sot fushatën “Ekonomia për të gjithë”, që shënon fillimin e Javës së Vetëdijesimit për Qasje në Financa për personat me aftësi të kufizuara. Kjo nismë zhvillohet në bashkëpunim me Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar (FKAK), Shoqatën e Bankave të Kosovës (SHBK) dhe me mbështetjen e Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE).

Sipas njoftimit të BQK-së,  fushata ka për qëllim të promovojë përfshirjen financiare dhe barazinë e qasjes në shërbime financiare, duke nxitur bashkëpunimin ndërmjet sektorit bankar dhe organizatave që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuara. Përmes kësaj nisme, BQK synon ndërtimin e një sistemi financiar më gjithëpërfshirës dhe më të qasshëm për të gjithë qytetarët.

“Në ceremoninë e lansimit, zëvendësguvernatorja e BQK-së, Nesrin Shileku-Shala, theksoi se përfshirja financiare është një nga prioritetet strategjike të BQK-së për periudhën 2024–2028, me fokus në mbrojtjen e konsumatorit, edukimin financiar dhe qasjen e barabartë në shërbime.

BQK ka krijuar gjithashtu një Kënd të Edukimit në Gjuhën e Shenjave, ku janë publikuar materiale edukative të përshtatura për personat me aftësi të kufizuara, me qëllim që çdo qytetar të ketë mundësi të barabarta për të kuptuar dhe menaxhuar në mënyrë të informuar financat personale”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se BQK ka paralajmëruar se do të vijojë përpjekjet për zhvillimin e materialeve audio-vizuale, përmirësimin e qasjes digjitale në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe forcimin e kapaciteteve të stafit për komunikim gjithëpërfshirës.

Në përmbyllje të aktivitetit, BQK riafirmoi përkushtimin për harmonizimin e kornizës rregullative me standardet e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar gjithëpërfshirjen financiare të personave me aftësi të kufizuara si themel të drejtësisë ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm.


MË SHUME NGA Ekonomi