KESCO krahason faturat me tarifat e reja dhe nxit kursimin e energjisë
RTKlive
Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka nisur një fushatë ndërgjegjësuese për kursimin e energjisë elektrike, duke nxjerrë në pah rëndësinë e uljes së konsumit gjatë periudhës së ftohtë, kur përdorimi i energjisë rritet ndjeshëm.
Në kuadër të kësaj nisme, KESCO po publikon shembuj konkretë të faturave të energjisë elektrike, duke krahasuar kostot mes viteve, përpara dhe pas tarifave të reja të miratuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji në maj 2025. Këto krahasime do t’i ndihmojnë konsumatorët të kuptojnë më qartë ndikimin e tarifave të reja në faturat mujore dhe rëndësinë që ka kursimi në uljen e kostos.
Shembulli i parë tregon se një konsum nën 800 kWh, që vitin e kaluar kushtonte 53.12 €, me tarifat e reja arrin 61.71 €. 
Edhe pse sasia e shpenzuar është e njëjtë, ndryshimi i tarifave ka ndikuar në rritjen e kostos.
“Kursimi i energjisë bëhet edhe më i vlefshëm – jo vetëm për të ulur faturën, por edhe për të kontribuar në përdorim më efikas dhe të qëndrueshëm të saj,” potencon KESCO.
Në ditët në vijim, kompania planifikon të publikojë shembuj të tjerë të faturave me konsum më të lartë dhe këshilla praktike nga ekspertët për të ndihmuar qytetarët të reduktojnë konsumin dhe kostot.
KESCO thekson se do të vazhdojë me fushata të reja dhe këshilla praktike për kursimin e energjisë, duke përdorur të gjitha kanalet e komunikimit për t’i afruar konsumatorët me zakonet e qëndrueshme.























