Trungjet e gështenjës në rrezik, pavarësisht prodhimit të mirë
BKT
Ekonomi

Trungjet e gështenjës në rrezik, pavarësisht prodhimit të mirë

Fadil Sertolli/ RTK

Këtë vit prodhimi i gështenjave është më i madh, por shumë trungje janë prekur nga sëmundja kërpudhore që prej dekadash ka dëmtuar pyjet e Kosovës. Inxhinieri i pylltarisë Miftar Lokaj nga Deçani thotë se rreth 80 për qind e trungjeve janë të prekura, ndërsa projekti i parë i rehabilitimit në Deçan ka dhënë rezultate pozitive.

“Në Kosovë kemi rreth 3 500 hektarë me gështenja, ndërsa sëmundja është identifikuar për herë të parë në vitin 1973. Ajo e sulmon gështenjën në degë dhe brenda një viti mund ta thajë tërë trungun,” thotë Lokaj për emisionin ‘Toka’ në RTK. 

Ai shton se sëmundja bartet në disa forma dhe se dëmet janë shumë të mëdha.

“Sot, rreth 80 për qind e trungjeve të gështenjës në vendin tonë janë të prekura nga kjo sëmundje,” thotë ai.

Lokaj kujton se projekti i parë për trajtimin dhe rehabilitimin e gështenjës është realizuar pikërisht në Deçan, në lokacionin e njohur si “Podi i Gështenjave”.

“Ky projekt ka përfshirë pesë hektarë gështenja dhe ka rezultuar shumë i suksesshëm. Kostoja e rehabilitimit ka qenë rreth 500 euro për hektar,” tregon inxhinieri.

Për luftimin e kësaj sëmundjeje, sipas tij, po merren masa edhe nga organizata ndërkombëtare të profilit pyjor.

Agronomi nga Deçani, Bajram Çeku, thotë se pas përfundimeve shkencore të këtyre organizatave, pritet që pas dy ose tre vitesh të fillojë rehabilitimi i gështenjave në Kosovë.

“Janë duke u hartuar politika për mbrojtjen e gështenjës, dhe pritet që pas pak vitesh edhe në Kosovë të ketë ndërhyrje në masë të gjerë,” shprehet Çeku.

Ai ndalet edhe te rreziku i një dëmtuesi tjetër, grerëza aziatike e cila ka shkaktuar dëme të mëdha në Shqipëri.

“Është fat që kjo grerëz ende s’ka arritur në Kosovë, sepse dëmet që ajo shkakton do të ishin edhe më të mëdha sesa ato të sëmundjes kërpudhore që tashmë është e pranishme tek gështenjat tona,” thotë Çeku për emisionin ‘Toka’ në RTK.

Çeku kujton se dikur gështenja ka qenë një burim i rëndësishëm i të ardhurave për familjet e zonës.

“Grumbullimi i gështenjës dikur siguronte mirëqenien e shumë familjeve, sepse përfitimet ishin të mëdha. Në vitet ’90 kishte grumbullim të organizuar në komunën e Deçanit, por pas luftës numri i grumbulluesve ka rënë dukshëm,” tregon ai.

Sipas tij, këtë vit prodhimi është më i lartë se në vitin e kaluar, por cilësia nuk është në nivelin e dëshiruar.

“Rendimenti është më i mirë këtë vit, por kualiteti nuk është i duhuri. Megjithatë, çmimi është i kënaqshëm,” shton Çeku.

Një zhvillim pozitiv, sipas tij, është ndërtimi i një pike të re grumbulluese dhe përpunuese në Babaj të Bokës, në Komunën e Gjakovës, e cila pritet të shërbejë për gjithë rajonin e Dukagjinit. 

Drejtuesi i saj, Halim Rrustemi, thotë për emisionin ‘Toka’ në RTK se makineritë i ka siguruar përmes një organizate ndërkombëtare me participim 50 me 50.

“Pas grumbullimit, gështenjat selektohen dhe kalojnë në disa faza: dezinfektim, tharje, paketim dhe më pas ruhen në frigorifer,” shpjegon Rrustemi.

Ai thekson se përmes këtij procesimi, qëndrueshmëria e gështenjave arrin deri në gjashtë muaj, ndërsa pa këtë proces ato mund të ruhen vetëm për rreth 20 ditë.

Rrustemi kujton edhe metodën tradicionale të ruajtjes së gështenjës.

“Dikur gështenjat ruheshin duke u futur në thark. Ky proces i vjetër i mbante ato të freskëta deri në pranverë,” thotë ai.

Sa i përket procesit të tharjes, sipas tij, dezinfektimi bëhet në temperaturë prej 80 gradësh Celsius, ndërsa tharja zgjat afërsisht dy orë, varësisht nga nevoja e frutit.

Këtë vit, Rrustemi planifikon të grumbullojë rreth 50 tonë gështenja.

“Çmimi është i lartë, por ka filluar të stabilizohet. Shitja është e mirë dhe nëse kjo veprimtari ka vazhdimësi, atëherë është shumë profitabile,” thotë Rrustemi për emisionin ‘Toka’ në RTK.


MË SHUME NGA Ekonomi