ASK: Rritet përkrahja për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara
V.Th. / RTKlive
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Statistikat e Mirëqenies Sociale për muajin tetor 2025, ku evidentohet një rritje e përfituesve nga disa skema pensionale dhe sociale, ndërsa shënohet rënie te disa skema të tjera krahasuar me tetorin e vitit 2024.
Sipas ASK-së, rritja më e theksuar është regjistruar te skema për përkrahje financiare për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, me 11,9%. Po ashtu, është rritur numri i përfituesve nga Pensionet Paraplegjike dhe Tetraplegjike (11,6%), pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (8,0%) dhe pensionet bazike të moshës (7,1%). Rritje u shënua edhe te kompensimet për punëtorët e arsimit të viteve 1990/91–1998/99 (5,0%), pensionet për personat me aftësi të kufizuara (3,6%), kompensimet për personat e verbër (0,4%), pensionet e TMK-së (1,2%) dhe skema për veteranët e luftës (0,4%).
Megjithatë, ASK raporton se disa skema kanë shënuar rënie të numrit të përfituesve në krahasim me një vit më parë. Rënia më e madhe u regjistrua te pensionet invalidore me 26,8%, të ndjekura nga pensionet e Trepçës me 20,6% dhe pensionet familjare me 11,2%. Po ashtu, ka rënë numri i përfituesve nga skema e ndihmës sociale (-10,9%), skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-1,8%) si dhe pensionet kontribut-paguesve të moshës (-1,7%).
Raporti i ASK-së paraqet lëvizjet vjetore në skemat pensionale dhe të mirëqenies sociale, duke reflektuar ndryshimet në përfshirjen e qytetarëve në programet e mbështetjes sociale në vend.























